Aksidentet vazhdojnë të përgjakin rrugët e vendit. Më i fundit, me një viktimë u shënua mëngjesin e sotëm në aksin Fushë Krujë-Vorë.
Grupi hetimor në terren vijon punën për zbardhjen e rrethanave, por paraprakisht mësohet se humbi jetën drejtuesi i një makine, si dhe u plagosën dy persona që udhëtonin me të.
Po nga të dhënat paraprake, mësohet se mjeti me targa kosovare, hyri në parakalim të gabuar. Priten më shumë detaje.
Drejtoria e Shërbimeve të Transportit Rrugor pranon se 55% e aksidenteve ndodhin në rrugët urbane kryesore dhe dytësore. Pranohet edhe se 27% e aksidenteve në Shqipëri ndodhin për shkak të faktorit mjedisor e 8% për shkak të defekteve në makinë.
Si automjete aktive numërohen 854 586, ndërsa janë çrregjistruar 5740 makina me moshë mesatare 22 vjeçare. Megjithatë, përdorimi i makinave të vjetra mbetet një problem. 105 vende janë të identifikuara si njolla rreziku, thënë ndryshe zona ku ndodhin më shpesh përplasje.