Aktualitet

Aksident tragjik në Këlcyrë! 8 viktima, mes tyre edhe shoferi (EMRI)

Një aksident i rëndë me 8 viktima ka ndodhur aksin rrugor Këlcyrë- Përmet. Ngjarja është regjistruar mëngjesin e sotëm, 2 prill, kur një mjet me emigrantë të paligjshëm është aksidentuar dhe për pasojë kanë humbur jetën 7 klandestinët, si edhe drejtuesi i mjetit nga Shkodra. Mësohet se shoferi është Sokol Ismeti.

Mediat bëjnë me dije se drejtuesi i mjetit ka qenë duke transportuar 7 emigrantët e paligjshëm nga pika kufitare e Tre Urave në drejtim të Këlcyrës.

Drejtuesi i mjetit ka tentuar që t’i ikë policisë, pasi është pikasur nga patrulla me mjetin e mbushur plot me njerëz. Sapo ka parë patrullën e policisë ai ka shtuar shpejtësinë dhe është kthyer për në drejtim të Përmetit për t’u larguar.

Burimet thonë se sipas ekspertizës paraprake mjeti ka qenë duke lëvizur me shpejtësi 180 km/h. Për shkak të shpejtësisë së lartë, drejtuesi ka humbur kontrollin e ‘Benz’-it dhe ka ‘fluturuar’ në anë të lumit Vjosë. Të 8 personat kanë humbur jetën në vendin e ngjarjes.

“Rreth orës 04:00, në aksin rrugor Këlcyrë- Përmet, në afërsi të fshatit Kuqar, dyshohet se si pasojë e humbjes së kontrollit mbi drejtimin e automjetit nga drejtuesi, automjeti tip Benz  ka dalë nga rruga dhe ka rënë në anë të lumit Vjosë. Si pasojë e daljes nga rruga  kanë humbur jetën 8 shtetas.( 7 shtetas dyshohet se janë  nga vendet e treta dhe drejtuesi i automjetit nga Shkodra)”, njofton policia.

Në vendngjarje ndodhen Drejtori Vendor i Policisë, Drejtori i Departamentit për Kufirin, Drejtori i Policisë Rrugore dhe Drejtori i Rendit Publik, si edhe dy grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë.