Sociale Sot Nuk Është e Hënë

Aksidenti i rëndë rrugor ku u shua një familje, pse gjithë shqiptarët iu vërsulën djalit që shkaktoi aksidentin?

Në episodin e fundit të ‘Sot nuk është e hënë’ janë diskutuar tema të ndryshme, ku një ndër to ishte dhe ngjarja e rëndë e aksidentit rrugor të ndodhur së fundmi, ku nga përplasja e dy makinave, u shua një familje. Kjo ngjarje tronditi gjithë opinionin publik dhe nuk kishte të madh e të vogël që nuk komentuan këtë aksident.

Koloreto Cukali shprehet i shqetësuar për reagimin e shqiptarëve ndaj këtij rasti tragjik. Për të, është e mirëkuptueshme angazhimi emocional që u tregua ndaj këtij rasti, por jo reagimet. Koloreto e cilëson këtë ‘mllef’ ndaj djalit që shkaktoi aksidentin si një ‘përtesë e shqiptarëve’ për të menduar më thellë dhe analizuar situatat.

Mendojmë se problemi është ai djali i droguar, dikush më i sofistikuar mendon se janë prindërit që llastojnë fëmijët. Ka pastaj, nga ata mendimtarë të thellë që thonë se edhe sistemi arsimor i toleron këta fëmijë. Unë mendoj që nuk i kemi dalë në fund këtij problemi. Dhe kjo më shqetëson shumë. Fakti që jemi shumë të cekët për ta kuptuar këtë gjë të dhimbshme, pse dhe si ka ndodhur. Fëmjët me ‘Audi’ nuk janë thjesht fëmijë të llastuar, janë fëmijë të prindërve të cilët janë të bindur që nuk i gjen asgjë, që besojnë se janë mbi sistemin, që sido që të vijë puna do e gjejnë një zgjidhje për t’u shpallur të pafajshëm. Njerëz që kanë gjetur, ku janë vrimat e sistemit, njerëzit e pushtetshëm që janë mbi sitemin.

Koloreto Cukali e konsideron këtë arsye shkakun e këtij aksidenti. Ata mendojnë se rruga dhe gjithçka që ju del para është e tyre. Nëse populli vazhdon dhe voton këtë sistem, përse duhet të shqetësohet, kur fundi i zinxhirit shakton të tilla dëme fatale në shoqëri?