Aktualitet

Aksidenti masiv te Shallvaret, arrestohet shoferi i autobusit!

Një ditë pas aksidentit masiv te Shallvaret, arrestohet drejtuesi i autobusit të linjës së “Unazës”, në kryeqytet. 62-vjeçari, Agron Xhafa, akuzohet për “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”. Fillimisht, autobusi përplasi një “Audi” e mori përpara disa automjete. Shoferi mbeti i dëmtuar, ndërsa pas testit të kryer nga policia në spital, rezultoi se nuk ishte nën efektin e alkoolit.

Aksidenti i shumëfishtë ndodhi mesditën e djeshme në një zonë të rënduar nga trafiku, por fatmirësisht nuk pati viktima. 9 persona u lënduan dhe u paraqitën në spital, jashtë rrezikut për jetën. Edhe drejtuesit e makinave të tjera të përfshira në përplasjen pranë “Urës së Tajvanit”, nuk rezultuan pozitiv në testin e alkoolit.

Bashkia e Tiranës i uroi shërim të shpejtë të gjithë qytetarëve që u lënduan. Në një njoftim për shtyp, ky institucion bëri me dije se po bashkëpunon me të gjitha institucionet për zbardhjen e shkaqeve dhe të rrethanave të këtij aksidenti dhe se pamjet filmike i janë vendosur në dispozicion Policisë Rrugore Tiranë.

Në njoftimin e Bashkisë Tiranë thuhej:

Po bashkëpunojmë me institucionet përkatëse deri në zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave, që çuan në këtë ngjarje! Të gjitha filmimet e kamerave të Policisë Bashkiake janë vendosur në dispozicion të Policisë Rrugore të Tiranës, teksa jemi informuar që të gjithë drejtuesit e mjeteve të përfshira janë testuar dhe intervistuar nga kolegët e policisë, për të çuar në hetimin e plotë të aksidentit, që fatmirësisht nuk pati pasoja në jetë njerëzish.