Aktualitet

Akuzat e LSI-së për evazion, ministrja Ibrahimaj: Nuk ka fakte të reja!

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, i cilësoi politike, sulmet nga opozita për dosjen e vitit 2018 mbi skemat e mashtrimit me TVSH-në. Sot në një konferencë për shtyp, Ibrahimaj deklaroi se ishte pikërisht Administrata Tatimore që i ka referuar këto raste në Prokurorinë e Tiranës, që në dhjetor të vitit 2018.

Nisur nga zhurma e madhe e ditëve të fundit, e krijuar në kuadër të një lufte politike, në vigjilje të një proteste të paralajmëruar, e cila nxit zhvillimin e një revolucioni imagjinar, bëj me dije se asgjë nga faktet e nxjerra ditët e fundit nuk është e re. Faktet lidhen me procese të kryera vite më parë nga Administrate Tatimore. Më konkretisht, në dhjetor 2018 Administrata Tatimore ka referuar pranë Prokurorisë, një skemë mashtrimi të TVSH-së, e cila lidhet me fshehje të ardhuravesh, evazion fiskal dhe pastrim parash. Janë referuar 20 subjekte, bashkë me to edhe 24 individë si përgjegjës për krijimin e këtyre skemave mashtrimi.

Ministrja theksoi se ky kallëzim erdhi pas një pune disamujore të administratës tatimore. Ibrahimaj shpjegoi edhe mënyrën se si ka funksionuar kjo skemë mashtrimi.

Janë krijuar subjekte fiktive, me qëllim përfitimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). Këto subjekte blinin dhe shisnin me kompani të krijuara dhe kompanitë e krijuara përfitonin duke shkarkuar inventarin e tyre pranë këtyre subjekteve. Ndërkohë që subjektet fiktive u shisnin kompanive produkte me qëllim kreditimin e TVSH-së, fryrjen e shpenzimeve dhe me qëllim maspagimin e TVSH-së.

Ndër të tjera, ministrja vuri në dukje se këto skema nuk janë vetëm dukuri shqiptare, por janë të përhapura në të gjitha vendet e botës, si dhe shpjegoi:

Në Shqipëri kanë filluar të shtohen pas vitit 2017. Që nga ai vit, janë 35 subjekte që janë referuar nga hetimi tatimor pranë Prokurorisë, ku kanë qenë të përfshira 141 subjekte.

Ibrahimaj reagoi pas denoncimeve publike në fillimjavë të kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi për një skemë të evazionit fiskal dhe mashtrimi nga 24 kompani, që sipas saj kanë lidhje me inceneratorin e Tiranës.