Aktualitet Politikë

Monika Kryemadhi lajmëron largimin nga politika: Pas 30 vjetësh ka ardhur koha që…

Partia e Lirisë po zhvillon sot në Pallatin e Kongreseve Konventën Kombëtare, e thirrur nga Ilir Meta, me qëllim sipas këtij të fundit, Rithemelimin dhe shkëputje nga nepotizmi të partisë.

Meta ka paralajmëruar që përmes ndryshimeve statutore do ta shkëpusë partinë nga nepotizmi, moment që largon automatikisht Monika Kryemadhin nga strukturat drejtuese.

Kryemadhi, teksa ka mbërritur në Konventë, ka parlajmëruar edhe largimin e saj nga politika.

Ish-kryetarja e LSI-së, tha se tashmë pas 30 vitesh, ka ardhur koha që të ketë prioritet fëmijët dhe jo politikën.

Kryemadhi: Normal që ndjej keqardhje, se 30 vjet të jetës tënde politike të t’i fshijnë me një vendim dhe të të përzen se ke zgjedhur të ndërtosh familje dhe jo përftime, për mua familja është më e rëndësishme se politika.

Në politikë jam investuar që në forumin socialist shqiptar për të rinjtë, jam një nga akademitë më të vjetra për të rinjtë, por mendoj se ka ardhur koha që prioritetet e Monika Kryemadhit janë, Bora, Besi dhe Era.

Në 30 vjet Monika ka qenë një gladiatore në arenën e luftës, e cila bënte shfaqje dhe neroni ngrinte gishtin, vrite ose  lërë të jetojë. Pas 30 viteve Monika ka vendosur të mos bëj më luftë, por të shoh prioritete të tjera.

Nga ana tjetër, Ilir Meta u shfaq i nervozuar me stafin e tij. Kreu i PL-së pati kritika edhe për energjinë e të rinjve.

‘Rinia e plakur, hajde. Po të ec me ritmin tuaj unë, 700 vjet rri Rama në pushtet!’ dëgjohet të thotë Ilir Meta në nisje të Konventës.

Në konventë priten më shumë se 900 delegatë dhe mbi 2000 të ftuar, mes të cilëve kryetarë të partive aleate, por deri rreth orës 10:00, salla ishte bosh.