Bota

Amerika dënon sulmin “e tmerrshëm” rus ndaj civilëve në Chernihiv të Ukrainës!

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dënoi bombardimin e djeshëm rus në qytetin verior të Ukrainës, Chernihiv, duke e quajtur “tjetër sulm i tmerrshëm kundër civilëve të pafajshëm”. Në një postim të publikuar në llogarinë e tij X, kryediplomati i Uashingtonit shkruan:

Ne vajtojmë këtë humbje tragjike të jetës dhe zemrat tona janë për familjet e viktimave. Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë gjithmonë pranë popullit ukrainas. Rusia duhet t’i japë fund luftës së saj brutale.

Ambasadorja amerikane në Ukrainë, Bridget Brink, u shpreh “e tmerruar nga lajmi i sulmit në qendrën historike të Chernihivit”.

Burra, gra dhe fëmijë të pafajshëm që shijojnë një të shtunë të këndshme nuk duhet të përfundojnë kurrë të vrarë ose të plagosur.

Shtatë persona, mes tyre dhe një fëmijë 6-vjeç u vranë e 90 të tjerë u plagosën kur një raketë ruse goditi sheshin kryesor të qytetit historik në veri të Ukrainës, Chernihiv.

Gjithçka ndodhi kur banorët ishin nisur për në kishë, me rastin e një feste fetare. 12 nga të plagosurit ishin fëmijë dhe 10 të tjerë, oficerë policie.

Nga Suedia ku ndodhej për një vizitë pune, presidenti Volodymyr Zelenskiy shkruante:

Një raketë ruse goditi qendrën e Chernihivit tonë, sheshin, universitetin politeknik dhe një teatër. Një e shtunë e zakonshme, të cilën Rusia e ktheu në një ditë dhimbjeje e humbjeje.

Në një video të shkurtër që shoqëronte postimin e Zelenskiyt shfaqeshin mbeturina të shpërndara në një shesh para teatrit, si dhe makina të parkuara, të dëmtuara rëndë.

Chernihivi njihet si qytet i kishave shekullore. Ai shtrihet rreth 145 km në veri të kryeqytetit Kiev. Ministria e Brendshme tha se si pasojë e sulmit, çatia e teatrit u shkatërrua.

Me raketa e dronë, Rusia sulmoi qytetet ukrainase që ndodhen larg vijës së frontit, si pjesë e asaj që e quan “operacion special ushtarak” e që nisi në shkurt të vitit të kaluar.