Bota

Amerika paralajmëroi Iranin, por Hezbollahu hedh raketa e dronë drejt Izraelit!

Ndërsa presidenti Biden e të tjerë zyrtarë amerikanë paralajmëruan Iranin të mos hakmerret ndaj Izraelit, grupi Hezbollah që mbështetet nga Teherani u hodh në veprim. Nga territori i Libanit, lëshoi dhjetëra raketa ndaj Izraelit verior. Forcat Mbrojtëse pikasën rreth 40 të tilla. Një pjesë e tyre u interceptua nga sistemet e mbrojtjes kundërajrore.

Ushtria izraelite njoftoi se kishte arritur të interceptonte edhe dy dronë me eksploziv që militantët e Hezbollahut përdorën për të sulmuar dje Izraelin. Nuk është e qartë nëse sulmet me raketa dhe dronë nga Hezbollahu ishin pjesë e përpjekjeve nga Republika Islamike për t’iu kundërpërgjigjur sulmit ajror izraelit ndaj kompleksit diplomatik iranian këtë muaj kur u vranë tre komandantë të lartë të Gardës Revolucionare të Iranit, përfshirë gjeneralin Ali Reza Zahdi, i cili drejtonte forcat elitë iraniane Quds.

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, paralajmëroi se Izraeli “duhet të ndëshkohet dhe do të ndëshkohet” për sulmin e 1 prillit, pak ditë pasi një nga këshilltarët e tij tha se ambasadat izraelite “nuk janë më të sigurta”.

Diplomatët amerikanë, përfshirë sekretarin e Shtetit, Antony Blinken, kontaktuan homologët në Turqi, Kinë dhe Arabinë Saudite, duke iu kërkuar t’ia bëjnë të qartë Teheranit se “përshkallëzimi nuk është në interesin e askujt”. Por, përpjekjet amerikane për uljen e tensioneve janë shoqëruar me shprehjen e mbështetjes së fortë për Izraelin, ndaj një agresioni të mundshëm nga Irani.

Jemi në komunikim të vazhdueshëm me homologët izraelitë për t’u siguruar se mund të vetëmbrohemi, iu tha gazetarëve zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, duke e përshkruar si shumë të besueshëm kërcënimin nga Irani për t’u kundërpërgjigjur.

E marrim shumë seriozisht angazhimin tonë për ta ndihmuar Izraelin për t’u mbrojtur. Eshtë një angazhim i hekurt.

Gjatë një telefonate me ministrin izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, shefi i Pentagonit, Lloyd Austin, gjithashtu ofroi mbështetjen e Uashingtonit për Izraelin.

Por, deklaratat amerikane dhe zhvendosja e njësive ushtarake për të dekurajuar një agresion nga Irani, nuk kanë arritur t’u japin përgjigje shqetësimeve në rritje.

Jemi shumë të shqetësuar për një përshkallëzim të mundshëm në një situatë që duket se përshkallëzohet çdo ditë, tha zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric. Mesazhi ynë që është dërguar privatisht dhe publikisht, është që të shmanget përshkallëzimi dhe të punohet për një ulje të tensioneve.