Politikë

Apeli çoi çështjen në rigjykim, Bylykbashi: Gjykata nën presion, vendim për përjashtimin e opozitës

Përfaqësuesi i grupimit Berisha në PD, Oerd Bylykbashi tha se vendimi për dërgimin në rigjykim i çështjes së drejtimit të PD, ishte marrë nën presionin e Edi Ramës.

“Është vendim për përjashtimin e opozitës nga zgjedhjet, tha ai. Është një vendim i cili haptazi ka thyer çdo rregull që ka vendosur deri më sot legjislatori dhe jurisprudenca, duke pranuar ankimin e një grupimi që i ka shërbyer Edi Ramës që Shqipëria të mos ketë opozitës”, tha ai.

Oerd Bylykbashi, përfaqësuesi ligjor i Sali Berishës në Gjykatë e cilësoi si ditë të zezë për drejtësinë dhe politikën shqiptare. Sipas tij me anë të këtij vendimi kryeministri Edi Rama kërkon përjashtimin e opozitës nga zgjedhjet.

“Ky vendim i sotëm ika thyer çdo rregull, që deri më sot ka vendosur legjislatori dhe jurisprudencë. Sot gjykata zhbëri 11 dhjetorin atë kuvend të jashtëzakonshëm, të gjithë përpjekjen e anëtarëve me votë që demonstruan se kush është vullneti i demokratëve, vendim që shënon ditë të zezë për drejtësinë dhe politikën shqiptare. U vra pluralizmi. Çdo hap tjetër do të merret nga instancat nga organet kolegjiale të PD-së. Ato nuk përfaqësojnë PD por një logo që e ka zgjedhur Edi Rama. Do të marrin vendim organet e PD-së dhe populli opozitar ishte sot në shesh. Vendimet e PD-së do t’i marrin organet e saj. Ka rënë nën thundrën e Edi Ramës”, tha Bylykbashi.

Më herët, Gjykata e Apelit Tiranë vendosi të dërgojë në rigjykim në Shkallë të Parë çështjen për drejtimin e Partisë Demokratike. Gjykata pranoi kështu një prej kërkesave të grupimit Alibeaj, që kishte kërkuar ose vendim për rrëzimin vendimit të Shkallës së Parë, ose rikthim për rigjykim. Ndërkohë, grupimi Berisha kishte kërkuar që të mos legjitimohej ankimi i bërë nga Enkelejd Alibeaj.