Bota

Arabia Saudite zvogëlon sasitë e prodhimit, rriten çmimet e naftës!

Rriten çmimet e naftës pas zvogëlimit të sasisë së prodhimit. Java ka nisur me këtë rritje, për shkak se Arabia Saudite tha se do të zvogëlojë me një milion fuçi në ditë, sasitë e prodhimit përgjatë korrikut, pra muajin e ardhshëm.

Nga 10 milion fuçi në ditë sa ka prodhuar në muajin maj, tani pritet të prodhojë 9 milion. Të tjerë pjesëtarë të grupit të shteteve që prodhojnë naftë, OPEC+ arritën dakordësi lidhur me zvogëlimin e prodhimit dhe kjo për të stabilizuar çmimet.

Vendet e OPEC+ zotërojnë gati 40% të naftës së papërpunuar dhe vendimet e tyre mund të kenë ndikim të madh në çmimet e naftës. Të hënën në Azi, çmimi i naftës së papërpunuar Brent u rrit me 2.4 për qind dhe një fuçi është shitur për 77 dollarë.

OPEC+ ka bërë të ditur se synon që prodhimi të ulet në 1.4 milion fuçi në ditë, prej vitit 2024. Vendimi është marrë pas një takimi shtatë-orësh, një ditë më parë.

Çmimet e naftës janë rritur që nga koha kur Rusia e nisi luftën në Ukrainë, në shkurt të vitit të kaluar, por tani janë në nivelet e para nisjes së konfliktit.

Në tetor të vitit të kaluar, organizata OPEC+ ra dakord që të ulë prodhimin me 2 milion fuçi në ditë, çka përbën 2 për qind të kërkesës globale. Në prill të këtij viti, grupi ra dakord edhe për shkurtime të tjera.

Por, zëvendëskryeministri rus, Alexander Novak vuri në dukje se bisedimet e së dielës kanë çuar në “vazhdim të marrëveshjes deri në fund të vitit të ardhshëm”.

Të dielën, ministri saudit i Energjisë, Princi Abdulaziz bin Salman, ka bërë të ditur se zvogëlimi i sasisë së shtetit të tij me një milion fuçi në ditë, mund të shtyhet edhe përtej muajit korrik, me qëllimin e stabilizimit të tregjeve.