Pasò Sport

Artan Shyti: “Futbolli shqiptar është një informalitet i formalizuar!”

Ditën e sotme ishte i ftuar në “Pasò” në një lidhje telefonike Artan Shyti, për të folur rreth sportit, ashtu si vetëm ai di. Një nga temat ku ai u ndal, ishte lidhur me pagën e sportistëve në përgjithësi, si edhe të futbollistëve në veçanti. Duke përdorur një metaforë shumë interesante, Artan Shyti u shpreh si më poshtë në lidhje me pagën e futbollistëve.

Futbolli matet me hijen e mëngjesit, ai ngjitet lart dhe hija shkurtohet. Në fund të ditës, në fund të sezonit, rezultati është që nuk ka më hije.

Një nga problemet që Shyti theksoi, ishte lidhur me pagesën e shqiptarëve dhe futbollistëve të huaj, ku ai vuri re se paga nuk është në përpjesëtim të drejtë. Ai vuri në dukje ndryshimin mes pagave të tyre, duke nxjerrë në pah këtë problematikë kaq të rëndësishme.

Ne nuk marrim disa lojtarë të rinj, t’i trajtojmë dhe t’i rrisim, t’i përgatisim e të kemi paga normale për Shqipërinë. Por ne marrim të huaj. Nuk duhet të marrin 10-fishin, sepse për futbollin shqiptar nuk është e justifikuar. Duhet të ulemi me këmbë në tokë, jo të shpenzojmë si Spanja…

Gjithashtu, Shyti vuri në dukje një tjetër problem, duke treguar se futbolli shqiptar nuk prodhon aq sa konsumon. Ai u shpreh si më poshtë.

Është e gjitha një informalitet i formalizuar… Futbolli shqiptar nuk prodhon, por konsumon dhjamin e vetë. Duhet luftuar që burimet të jenë të shumifishta dhe të sigurta… Nëse burimet janë nga të ardhura të paqëndrueshme, rreziku është i madh.