Aktualitet

Asfaltohet Unaza e vogël, Veliaj: Terminal për urbanët pas Teatrit të Operës dhe Baletit

Për të lehtësuar edhe më shumë qarkullimin e mjeteve, e gjithë “Unaza e Vogël” në kryeqytet do të shtrohet me asfalt të ri dhe do të pajisen me sinjalistikën e nevojshme.

“Jemi duke punuar në të gjithë “Unazën e Vogël”, një segment jashtëzakonisht i rëndësishëm, me ngarkesë, si për faktin se mbaruan disa nga ndërtesat ikonike të Tiranës, ashtu edhe për faktin se gjatë ditës ka një fluks të jashtëzakonshëm, sidomos përreth ministrive. Tani shtohet puna te KQZ-ja, këtu kemi Kishën Orthodhokse dhe Kishën Katolike, presim të hapet edhe Xhamia e madhe e Tiranës, çka do të thotë se në “Unazën e vogël” do të përqendrohet një pjesë e madhe e aktiviteteve, si administrative dhe qeveritare, ashtu edhe fetare, kulturore dhe turistike”,

Kryebashkiaku Erion Veliaj njoftoi një tjetër vendim që lidhet me transportin publik. Një terminal autobusësh urbanë, do të vendoset në hapësirën prapa Teatrit të Operës dhe Baletit.

“Bashkë me OSHEE-në kemi marrë një vendim të ri, ku prapa Teatrit të Operës dhe Baletit do të kemi një pikë shkëmbimi për autobusët urbanë. Pra, nëse në Lundër edhe te “Kthesa e Kamzës” do të kemi terminalet për autobusët që vijnë nga rrethet, kurse autobusët e Tiranës që kryqëzohen në qendër, do ta kenë pikën në një terminal urban, pas Teatrit të Operas dhe Baletit. Pra, këtu do të kemi një përqendrim të stacioneve të autobusëve, që sot janë kryesisht te zona e “Piacës” dhe Bankës së Shqipërisë. Pavarësisht nga cila linjë vjen, nëse do shkëmbesh në një linjë tjetër në Tiranën qendrore, do të vijmë vetëm në një pikë të ndërrimit të autobusëve, edhe jo siç e kemi, gjatë gjithë ‘Unazës së vogël’”.

Ndërkohë pritet që këtë verë në Tiranë të nisin funksionimin linjat e autobusëve të shpejtë.

“Ndryshimi tjetër do vijë në 3 linja: linja Kombinat – Kinostudio, Unaza klasike dhe linja tjetër e Tiranës së Re. Këto 3 linja, duke filluar nga vera, do të kalojnë në sistemin që quhet “Bus Rapid Transit”, lëvizje e shpejtë me autobus. Do të përshtaten linjat dhe korsitë e tyre, ekskluzivisht të pandërprera për autobusët, njësoj siç kemi bërë disa korsi biçikletash të pandërprera. Është diçka që ndodh edhe në Lindje, ndodh edhe në Perëndim”.