Bota

Papa Françesku do të jetë i pranishëm në mbledhjen e G7 për Inteligjencën Artificiale!

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, ka thënë përmes një video-mesazhi se Papa Françesku do të marrë pjesë në takimin e liderëve të Grupit të Shtatë (G7) të ekonomive më të fuqishme të botës, i cili do të zhvillohet nga 13 deri më 15 qershor, në Pulia, në Itali. Është hera e parë që një Papë merr pjesë në një takim të G7. Pjesëmarrja e tij do të ketë të bëjë me një diskutim mbi inteligjencën artificiale. “Falënderoj nga zemra Papa Françeskun për pranimin e ftesës, prania e tij shton vlerë të konsiderueshme për vendin tonë dhe për të gjithë Grupin e Shtatë”-theksoi Meloni.

Së fundmi Vatikani ka lëshuar një paralajmërim të fortë kundër ndryshimit të gjinisë, duke thënë se çdo ndërhyrje e tille kërcënon dinjitetin e çdo personi. Paralajmërimi është publikuar në një dokument të ri të nënshkruar dhe miratuar nga Papa Françesku. Deklarata fokusohet në atë që përshkruan një sërë kërcënimesh për dinjitetin njerëzor, duke përfshirë varfërinë, dënimin me vdekje, luftën, abortin, abuzimin seksual dhe abuzimin e grave.

Teksti, i botuar nga zyra e Vatikanit, thekson se përpjekjet për të zbehur ndryshimin seksual midis burrit dhe gruas, duke përfshirë operacionin që përcakton gjininë, duhet të refuzohen. Për abortin ritheksohet ajo që Papa ka thënë në të kaluarën, se mbrojtja e jetës së palindur është e lidhur ngushtë me mbrojtjen e çdo të drejte tjetër njerëzore.

Rikujtojmë se Papa Françesku është shprehur kundër lindjeve surrogate, duke thënë se duhet ndaluar ndërkombëtarisht. Papa thotë se fëmija është dhuratë dhe jo një objekt kontrate. Ndërkaq, risjellim në vëmendje se Vatikani, në një vendim historik, të miratuar nga Papa Françesku bëri me dije ndryshimin rrënjësor se priftërinjtë katolikë romakë mund të bekojnë çiftet e të njëjtit seks për sa kohë që ata nuk janë pjesë e ritualeve ose liturgjive të rregullta të Kishës.

Një dokument nga zyra doktrinore e Vatikanit njofton se bekime të tilla nuk do të legjitimonin situata të parregullta, por do të ishin një shenjë se Zoti i mirëpret të gjithë. Dokumenti thotë se priftërinjtë duhet të vendosin rast pas rasti dhe nuk duhet të parandalojnë ose ndalojnë afërsinë e Kishës me njerëzit në çdo situatë në të cilën ata mund të kërkojnë ndihmën e Zotit nëpërmjet një bekimi të thjeshtë.