Aktualitet Politikë

Athina i kërkoi të anulojë vizitën e 12 majit, Rama nuk tërhiqet!

Kryeministri Rama rikujtoi bashkëkombasit në Greqi se më 12 maj do të jetë në Athinë, për një takim me shqiptarët atje, në kuadër të rienergjizimit të Partisë Socialiste dhe përgatitjes për zgjedhjet e vitit të ardhshëm. “Mirëmëngjes dhe me një kujtesë për ata ndër ju që janë në Greqi, se në 12 maj nisim nga Athina rrugëtimin e pranverës në diasporë Krenar për Shqipërinë, ku do të ishte kënaqësi e posaçme të takoheshim, ju uroj të gjithëve një fundjavë të mbarë!”, shkruan Rama.

Dy ditë me parë, mediat greke raportuan se kryeministri Mitsotakis është i shqetësuar për praninë e homologut Rama në Athinë, më 12 maj, pasi mund të ndikojë te vota e shqiptarëve për zgjedhjet e eurodeputetëve grekë. Rama rikonfirmon se nuk ka tërheqje as nga data dhe as nga vendi i planifikuar i takimit në Greqi.

Mediat në vendin fqinj kishin paralajmëruar se qeveria e këtij vendi kundërshtonte për shkak të raporteve “të acaruara” mes dy shteteve. Një burim tha se Ramës iu kërkua ta shtynte vizitën pas datës 9 qershor kur në Greqi, ashtu si dhe në vendet e tjera të BE-së do të votohet për Parlamentin Europian. Pas Athinës, më 26 maj Rama do të jetë në Milano, më 2 qershor në Londër e më 16 qershor në Duseldorf. Një nga arsyet e këtij turi është për t’ju bërë thirrje shqiptarëve që jetojnë në diasporë që të kthehen për të jetuar e investuar në Shqipëri.

Gazeta greke “Kathimerini”, shkruante se vizita ka shqetësuar jo pak Athinën zyrtare dhe lidhet më shumë me frikën se Rama mund të ndikojë në orientimin e votës së emigrantëve për zgjedhjet e deputetëve për Parlamentin Europian.

Po sipas gazetës “Kathimerini”, autoritetet greke i kanë kërkuar bashkëpunëtorëve të shefit të qeverisë shqiptare që të shtyjë takimin me emigrantët pas 9 qershorit, që përkon me ditën e zgjedhjeve për PE-në. Në shkrim thuhet se bashkia ia ka revokuar lejen e mitingut organizatorëve.

Kathimerini shprehej se i referohej burimeve diplomatike shqiptarë dhe greke, sipas të cilave, më këtë vizitë, “kryeministri Rama mund të orientojë votën e shqiptarëve si një kundërpërgjigje për kandidimin për zgjedhjet europiane të Fredi Belerit për llogari të partisë së shefit të qeverisë greke Kiriakos Mitostakis”.