Bota

Balotazhi presidencial në Francë, debat i ashpër Macron-Le Pen!

Këtë të dielë zhvillohet balotazhi i presidencialeve franceze dhe presidenti Emmanuel Macron e rivalja e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen po shfrytëzojnë orët e fundit të fushatës, pas një debati të ashpër ku u përplasën për marrëdhëniet me Rusinë e veshjen islamike. Le Pen, kundërshtare e ashpër e emigracionit, kërkon të zgjidhet në krye të Francës, një rezultat që do të shkaktonte tronditje në të gjithë Europën.

Mbeten dy ditë fushatë, pasi e shtuna është heshtje zgjedhore. Macron takohet sot me votuesit në veri të Parisit, ndërsa Le Pen synon të zhvillojë një tubim në qytetin verior Arras. Me pushtimin rus të Ukrainës që eklipsoi fushatën, Macron përmendi një hua që partia e Le Pen-it mori nga një bankë çeko-ruse, përpara fushatës zgjedhore të 2017-ës.

Jeni të varur nga presidenti rus Vladimir Putin! Kur flisni me Rusinë, flisni me bankierin tuaj!

Gjithashtu, Macron iu referua njohjes së kaluar nga Le Pen të aneksimit që Rusia i bëri në vitin 2014, gadishullit ukrainas të Krimesë.

Le Pen u përgjigj:

Jam një grua absolutisht e lirë. Partia e mori këtë kredi pasi nuk mund të gjente financim në Francë ku bankat refuzuan të na jepnin hua.

Përplasja më kulmore u shënua kur Le Pen konfirmoi se do t’i përmbahej politikës së ndalimit të mbajtjes së shamisë në publik nga gratë myslimane, duke e përshkruar si “uniformë të imponuar nga islamikët”.

Macron reagoi:

Ju do të shkaktoni një luftë civile nëse e bëni këtë, unë e them sinqerisht!

Le Pen u zotua edhe t’i jepte fund emigrimit “anarkik dhe masiv” në Francë, duke pretenduar se po përkeqësonte krimin që sipas saj po bëhet “i padurueshëm” për njerëzit në të gjithë vendin.

Prioriteti për Le Pen ishte të shmangte një përsëritje të debatit të balotazhit të 2017-ës, kur Macron arriti ta bënte të dukej e tronditur. Ajo u përpoq të acaronte presidentin, duke u tallur për mënyrën si “Mozarti i financave” kishte lënë një trashëgimi “të keqe” ekonomike, që përfshinte 600 miliard euro shtesë borxh kombëtar.

Duke iu kthyer Europës, Le Pen këmbënguli se dëshiron të qëndrojë në Bashkimin Europian, por të reformojë Bllokun në një “aleancë kombesh”.

Macron është favorit për të fituar balotazhin e 24 prillit, por analistët dhe aleatët e presidentit kanë paralajmëruar se rezultati është larg një përfundimi të përcaktuar, me sondazhet që tregojnë se mbi 10 për qind e francezëve, ende nuk kanë vendosur për kë të votojnë.