Aktualitet

Banorët e “5 Majit” e zhvendosin protestën dhe bllokojnë rrugën tek ish-sheshi “Shqiponja”

Banorët e zonës “5 Maji” dhe ata të Laprakës janë bërë bashkë për të protestuar sot pasdite te zona e ish-sheshit Shqiponja. Në zonë u grumbulluan edhe shumë forca policore pasi protestuesit bllokuan për disa minuta trafikun çka precipitoi në konflikt mes tyre dhe shoferëve të makinave që po tentonin të kalonin rrugën.

Një banor i Laprakës është shprehur se protestat do të përshkallëzohen ndërsa falënderoi policinë e shtetit që nuk u konfliktua me ta.

Mes protestuesve, që në duar mbanin pankarta në të cilat shkruhej “Kur do të na lini të jetojmë të qetë”, ndodhej edhe nënë Liza e cila është kthyer edhe në simbolin e rezistencës në këtë protestë.

Liza Marku, e njohur si Nëna Liza që preku zemrat e shqiptarëve pas shkatërrimit të banesës së saj në lagjen 5 Maji ishte e pranishme më 29 janar në seancën dëgjimore në Komisionin e Ligjeve.

Pas apelit të fortë dhe renditjes së kërkesave nga ana e saj, nënë Liza tregoi edhe se si ka nisur aksioni për shembjen e shtëpisë së saj.

Kam pasur shtëpi 3 katëshe. Na kanë njoftuar se do vijnë në 6 dhe kanë ardhur në katër të mëngjesit e kanë këputur dritat. Shtetrrethim. Në katër të mëngjesit. Policia kishte bërë shtetrrethim te 5 maji. çfarë do bënin 1300 policë me 3 të vobektë, kanë ardhur kanë plas në shtëpinë ne si xhandarët e Zogut njëherë  e një kohë. Kur kam dash me marrë rrobat, me marrim ilaçet, lekët e bukës jo asgjë nuk na lanë. 4 policë na nxorën jashtë, me këtë shtet jemi duke hyrë në gropë jo në Evropë, tregoi  ajo.