Rajoni

Bashkimi Europian ende në pritje të një takimi Kurti-Vuçiç në Bruksel!

Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano tha se BE-ja ende nuk ka përgjigje nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç lidhur me ftesën për një takim këtë javë në Bruksel.

Ne kemi thënë shumë sa i përket pritshmërive tona, pasojave të mundshme e hapave. Çështja kryesore është të kemi takim këtu në Bruksel dhe rreth kësaj, në këtë moment, nuk kam asgjë për të saktësuar.

Stano shtoi se “deri në fund të javës, ka akoma kohë”, por se nuk mund të konfirmojë ndonjë datë apo kohë për takimin e thirrur nga përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell.

Po presim e shpresojmë se mund ta kemi datën e kohën e takimit, si dhe t’i diskutojmë më pas modalitetet. Nuk kemi kohë për të humbur. Tani është koha për veprime e jo për fjalë dhe spekulime.

Burime diplomatike të Radios Evropa e Lirë thonë se takimi mund të zhvillohet nesër ose më 23 qershor, ndërsa po ashtu përmendin mundësinë që Kurti dhe Vuçiç të mos kenë një takim direkt por vetëm takime bilaterale me Borrellin.

Që nga fundi i muajit maj, tensionet në veri të Kosovës u rritën pasi kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, me ndihmën e Policisë së Kosovës hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve nga serbët atje.

Sipas burimeve diplomatike të BE-së, Bashkimi Europian u ka bërë me dije palëve se do të kenë pasoja në rast se nuk tregojnë përgjegjësi dhe gatishmëri për takim e për hapa të menjëhershëm në uljen e tensioneve.

Një ditë më parë, Albin Kurti u shpreh “i gatshëm dhe i interesuar” që të shkojë në Bruksel. Në një takim me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, Vuçiç e ka përsëritur se nuk do të marrë pjesë në takimin në Bruksel deri në plotësimin e kushteve të Beogradit:

·         Tërheqjen e kryetarëve shqiptarë nga ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviç e Zubin Potok

·         Tërheqjen e njësiteve speciale të Policisë së Kosovës nga veriu

·         Ndërprerjen e arrestimeve të serbëve.