Aktualitet

Baza e grupeve kriminale në Fushë-Kuqe, dëshmia e pronarit!

Pronari i shtëpisë që ishte kthyer në një bazë furnizimi me mjete për grupet kriminale, me qëllim kryerjen e krimeve, pranoi se ka në zotërim sendet e gjetura brenda banesës në fshatin Gurëz të Njësisë Administrative Fushë Kuqe, në Kurbin. Në dëshminë e dhënë në polici pas arrestimit, 40-vjeçari Aleks Lulashi u shpreh edhe se prej shumë vitesh blinte e shiste sende të ndryshme, por duke mohuar të ketë lidhje me grupe kriminale.

Po ashtu, burime bëjnë me dije se shtëpia ka qenë e braktisur ndërsa bashkëshortja e tij jetonte në një vend tjetër.

Ditën e  djeshme gjatë kontrolleve në brendësi dhe përreth banesës së vjetër në pronësi të Aleks Lulashit janë gjetur e sekuestruar në cilësinë e provës materiale një automjet tip “Mazda” i dëmtuar; 5 motomjete me fuqi të lartë motorike të dyshuara të vjedhura;  4 palë targa, për automjete dhe motomjete, të cilat dyshohet se janë vjedhur në qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe në Kosovë; 400 gramë lëndë e dyshuar eksplozive, me fitil zjarrpërcjellës e gatshme për shpërthim: kapuça si maska, doreza dhe skafandra motomjetesh, veshje për kamuflazh, si dhe një sërë sendesh të tjera që do t’i shërbenin grupeve kriminale gjatë kryerjes së ngjarjeve të rënda kriminale.

Sipas policisë, mbi 40-vjeçarin rëndojnë veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje”, “Trafikim i mjeteve motorike”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Vjedhja”.

Fushë Kuqja është kthyer në bazë të disa grupeve kriminale në vend, ndërsa kujtojmë se në gusht të këtij viti, policia goditi një grup kriminal që trafikonte kokainë e heroinë nëpërmjet detit. Gjatë këtij operacioni, gjashtë persona ranë në pranga, ndërsa u bllokuan katër gomone.

Ndërkaq, në dhjetor të 2022-shit gjatë kontrolleve të befasishme në banesën e Ervis Martinajt dhe të familjarëve të tij në Fushë Kuqe nga FNSH-ja e RENEA, u gjetën të fshehura në kosheret e bletëve armë, uniforma policie, radio policie dhe predha.