Aktualitet

Lezhë, prangoset 23-vjeçari që përplasi për vdekje një shtetas francez!

Në 23-vjeçar u arrestua nga Policia e Lezhës për aksidentin e mesnatës në aksin Lezhë-Laç, pranë fshatit Spiten, me pasojë vdekjen e një personi. Fillimisht, u raportua për dy të plagosur, shtetas të huaj, por fatkeqësisht, një prej tyre ndërroi jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë ku u dërgua pasi fillimisht u trajtua në atë të Lezhës. Viktimë mbeti një francez, 65-vjeç.

Makina e tij u përplas me automjetin e të riut, i cili e braktisi pas aksidentit, duke u larguar nga vendngjarja. Por, uniformat blu e identifikuan dhe e vunë në pranga. I arrestuari është Samuel Çela, banues në Fushë Kuqe. 23-vjeçari akuzohet për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.

Njoftimi i policisë: 

Aksidentoi me automjetin e tij, automjetin që drejtohej nga një shtetas francez, dhe u largua nga vendi i aksidentit, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 23-vjeçari.

Për shkak të dëmtimeve, shtetasi francez humbi jetën në spital.

Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Lezhë arrestuan në flagrancë shtetasin:

S. Ç., 23 vjeç, banues në Fushë Kuqe, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit.

Aksidentet rrugore që ndodhën në dhjetor 2023 u rritën ndjeshëm në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë, teksa pjesa më e madhe e tyre shkaktohen nga të rinjtë. Sipas të dhënave të INSTAT-it, në muajin dhjetor 2023 numërohen 157 aksidente rrugore, nga 105 që ndodhën në dhjetor 2022, me një rritje prej 49.5%.

Numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) rezulton 200 persona në muajin dhjetor 2023. Në të njëjtën periudhë të në viti më parë, numri i të aksidentuarve ishte 90 persona.

Në dhjetor 2023 numri i të dëmtuarve mëse u dyfishua. Rritja e ndjeshme është shënuar te të aksidentuarat femra, duke u rritur në 64, nga 30 në dhjetor 2023. Për gjithë vitin 2023, në vend ka pasur gjithsej 1.285 aksidente, me një rritje prej 10.3% në krahasim me vitin e mëparshëm.

Gjithsej kishte 1731 të aksidentuar (të vrarë dhe të plagosur) në vitin 2023, me një rritje prej 8.2% në krahasim me vitin e mëparshëm. Sipas INSTAT-it, aksidentet rrugore, në 74,5% të rasteve kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 25-34 vjeç, duke zënë 25,5% të numrit të aksidenteve gjithsej.