Aktualitet

Atentati i Kurbinit me një viktimë dhe një të plagosur, dalin detaje të tjera!

Detaje te reja zbulohen lidhur me atentatin e ndodhur të shtunën e kaluar në një firmë përpunimi të inerteve në fshatin Gurëz të Kurbinit me një viktimë dhe një të plagosur. Në Fushë Milot u gjet e djegur një makinë që dyshohet se është përdorur për krimin e 10 shkurtit.

Makina e djegur dyshohet të jetë “Range Rover” i zi e me targa të vjedhura. Po ashtu, dyshohet se automjeti është vjedhur para disa ditësh pranë një karburanti në autostradën Lezhë-Laç. Disa burime thonë se autorët janë futur nga Fushë-Miloti e po ashtu kanë dalë prej vendit ku u gjet dhe makina e djegur.

Sipas burimeve të korrespondentes së Top Channel, Brixhilda Deda, Gjeloshi ka deklaruar se autorët janë prezantuar si policë në momentin që janë futur brenda objektit, po ashtu dhe rojës, i cili ka qenë prezent.

Më pas ata kanë qëlluar drejt 51-vjeçarit Ardjan Gjeloshit e Selman Mihana, 70-vjeç me profesion ekonomist, i cili mbeti viktimë e këtij atentati.

Dyshohet se kanë qenë dy makina që janë përdorur në këtë atentat dhe dyshimet janë se njëri prej automjeteve tip “Range Rover” është vjedhur disa kohë më parë në një karburant në autostradën Lezhë-Laç.

Autorët kanë qëlluar nga jashtë firmës, ndërkohë plumbat i kanë kapur gjatë momentit që po hynin në zyrë. Në moment ka qenë prezent vetëm roja i objektit dhe sipas burimeve, shënjestra ka qenë pronari i firmës i cili dyshohet se është qëlluar për motive hakmarrjeje.