Bota

Berisha mbledh grupin parlamentar: Nesër dorëzojmë në KQZ dokumentet për regjistrim në zgjedhjet e 14 majit! !

Sali Berisha ka mbledhur pasditen e sotme grupin e tij parlamentar, fill pas mbledhjes së kryesisë, mbledhje të cilat erdhën pas vendimit të gjykatës së Apelit për të zhbërë vendimin e gjyqtarit Agron Zhukri, e për rrjedhojë për t’i kaluar vulën Enkelejd Alibeajt.

Me deputetët besnikë të tij, Flamur Nokën, Edi Palokën apo Albana Vokshin, Berisha sërish akuzoi kryeministrin Edi Rama se është ai që e ka përgatitur vendimin që mori Gjykata e Apelit.

Me këtë proces politik, Edi Rama hoqi çdo maskë, ai është i tmerruar nga PD-ja dhe forca e saj. Ai mund të bashkëjetojë vetëm me një fasadë opozitë, një fasadë opozitë e cila i nënshtrohet, pranon të poshtërohet, një fasadë opozitës të cilës i ka marrë peng kryetarin, të cilës i jep urdhra, me të cilën mashtron publikun shqiptar.  Asnjë opozitë tjetër, ai nuk mund të tolerojë asnjë opozitë të vërtetë. Edhe njëherë, vendimi tre ditë para mbylljes së regjistrimeve është dëshmia më flagrante e frikës së tmerrshme që e ka kapur atë nga PD-ja.  Ne pra jemi para një situate të cilën e kemi parashikuar, se ky është një vendim i paralajmëruar, nga vetë Taulant Balla në parlamentin shqiptar, i paralajmëruar nga Olta Xhaçka e cila i tha ambasadorit të një miku të Edvinit, një javë para që gjykata ka vendosur që vulën të ua japë vasalë, veglave apo shërbetorëve të Edvinit, të ua heq anëtarësisë, të ja heqë PD-së dhe të ja japë Edvinit. Edi Rama një vit e gjysmë më parë, i dha Lulzim Bashës, bravën dhe brava i ngeli në derë të shtëpisë së tij, përsëri vula do të ngelet në turpin më të madh të tij, sepse vula është e anëtarëve të PD-së.

Në kulmin e skandalit botëror Rama-McGonigal, Edi Rama pasi e bllokoi gjykatën për 8-9 muaj me radhë, njoftoi dje 3 ditë para mbylljes së regjistrimit të forcave politike në zgjedhje, me qëllimin e vetëm bllokimin e pjesëmarrjes së PD-së në zgjedhje, përjashtimin e saj. Një vendim i pashembullt në historinë botërore të vendeve lira, se në diktatura vendimet janë të çdo lloj karakteri. Gjykatësit e Apelit lexuan dje një shkresë të përgatitur në zyrat e Edi Ramës dhe të dorëzuar nga zonja Elira Kokona, në të cilën ata njoftojnë, apo marrin vendimin për një proces gjyqësor, vendim gjykate në të cilin vetë ata që ishin ankuar, të turpëruar  botërisht para të gjithë audiencës së gazetarëve u detyruan të thonë se nuk kemi qenë palë.

Në çdo vend të botës, gjykatësi që gjindet para një fakti të tillë, që ka një dosje të paraqitur nga një palë për një proces gjyqësor, e cila i deklaron se nuk ka qenë palë, nuk ka asnjë akt tjetër përveç mbylljes së seancës dhe respektimit të vendimit të gjykatës së faktit, vendim i cili nuk shqyrtohet në apel në asnjë vend të lirë. Në asnjë vend të lirë vendimi i regjistrimit të partive nuk ka apelim, por në Shqipërinë e narkoshtetit të Edi Ramës, të gjitha ndodhitë janë të mundshme.’- tha Berisha.

Mes të tjerash, Berisha deklaroi se të nesërmen do të dorëzojë në KQZ dokumentet për t’u regjistruar në zgjedhje, pa dhënë detajet nëse aplikimi për regjistrim do të jetë nën siglën e një prej partive të tjera opozitare apo atë të Partisë Demokratike.

Ai akuzoi ish kryedemokratin, Lulzim Basha se ka bërë një marrëveshje me kryeministrin, Edi Rama për t’u paraqitur si kryetar i Partisë Demokratike dhe për të autorizuar Enkelejd Alibeajn si të tillë.

“Nesër do dorëzojmë gjithë dokumentet për regjistrim. Kodi zgjedhor në nenin 64, pika 2 b, përcakton se që partia politike të regjistrohet, detyron që të jetë emri i kryetarit të partisë, adresa dhe gjithçka tjetër rreth tij. Dhe deklaratën e tij se nuk do blejë vota, nuk ka parashikuar kur kryetari është i blerë vetë. Se çfarë ndodh, Edi Rama e mban dhe Lulzim Basha në një akt vetëposhtërimi pasi e detyruan të japë dorëheqjen, prej kaq muash që nga marsi gjer tani, tani i thotë Rama, ti nuk ke dhënë dorëheqje, je kryetar. Dhe e ngarkon me detyrë, meqenëse banaliteti shkon gjer në qiell, i ka thënë se po u paraqit si kryetar, do të autorizojë Alibashën në emrin e tij. Kjo është skema, por unë besoj se KQZ nuk do e pranojë diçka të tillë”-tha Berisha.