Aktualitet Politikë

Berisha në SPAK: Vazhdon beteja me botën e krimit!

I shoqëruar nga një makinë policie, Sali Berisha iu drejtua mjediseve të SPAK-ut ku për herë të parë do të merret në pyetje lidhur me privatizimin e klubit sportiv Partizani në Tiranë. Para orës 10:00, ish-kryeministri nën hetim për korrupsion pasiv lidhur me këtë çështje, doli nga banesa ku prej fundit të dhjetorit qëndron në arrest shtëpie.  “Beteja vazhdon” ishin fjalët e Berishës, ndërsa para mjediseve të SPAK-ut janë mbledhur mbështetës të tij.

Para se të hynte në mjediset e Prokurorisë së Posaçme, Sali Berisha u shpreh:

Beteja me botën e krimit vazhdon! Opozita do të fitojë! Jam këtu për t’ju përfaqësuar, për të përfaqësuar shqiptarët e përfaqësuar pluralizmin, PD-në!

Jam këtu për të denoncuar Edi Ramën dhe grupin e organizuar kriminal në këtë ndërtesë, që angazhohet në betejë kundër pluralizmit.

Ne do fitojmë, fitore, fitore, fitore!

Ndërsa ish-shefi i qeverisë merret sot në pyetje, të enjten e 25 janarit është radha e dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi.

Më 21 dhjetor, me 75 vota pro, Kuvendi i Shqipërisë autorizoi SPAK-un për arrestimin e  deputetit Sali Berisha, person nën hetim për çështjen e privatizimit të Klubit Sportiv Partizani. Ky zhvillim pasoi refuzimin e Berishës për të respektuar masën e mëparshme “Detyrim për paraqitje”, duke e cilësuar “antikushtetuese”. Autorizimi i Kuvendit iu dërgua SPAK-ut, që Gjykatës së Posaçme i kërkoi “Arrest shtëpie” për ish-kryeministrin.

Vendimin e Kuvendit, në të fundit seancë plenare të vitit 2023 që zgjati pak minuta dhe u shënua nga kaosi, Berisha e quajti “akt të paligjshëm e antikushtetues, sulm politik që kryeministri Rama ka ndërmarrë ndaj tij dhe opozitës”. Paralelisht me seancën, jashtë selisë së Kuvendit mbahej një protestë e mbështetësve të opozitës.

Para votimit të Kuvendit, më 20 dhjetor ishte Gjykata Kushtetuese që vendosi të mos kalonte për shqyrtim në seancë plenare kërkesën e një grupi deputetësh lidhur me masat e sigurisë ndaj Berishës, si dhe interpretimin e nenit të Kushtetutës, ku flitet për arrestimin e deputetit.

Gjykata tha se kërkesa nuk ishte formalisht e rregullt, se grupi i deputetëve nuk legjitimohej për të vënë në lëvizje gjykatën në çështje si konflikti i kompetencave dhe se pretendimet e kërkuesit dhe kërkesa për pezullimin e masave të sigurimit nuk mund të shqyrtohen në themelin e tyre.

Ish-kryeministri Berisha është person në hetim në çështjen e procedurave të privatizimit të klubit Partizani në Tiranë. Dyshohet se me akte te ndryshme, favorizoi dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, një nga pronarët e atij trualli, ku janë ndërtuar pallate.

Pas arrestimit në Aeroportin e Rinasit, më 21 tetor, nën dyshimet për korrupsion e pastrim parash, fillimisht ndaj Malltezit u vendos “Arrest me burg”, por më pas Apeli i Posaçëm e ndryshoi masën e sigurisë në “Arrest shtëpie”. Këtë ndryshim, SPAK-u e ka kundërshtuar në Gjykatën e Lartë. Ndërkaq, në fund të nëntorit 2023, atij iu rrëzua kërkesa për heqjen e sekuestros mbi pasuritë e bllokuara.