Bota

Biden u jep zemër trupave amerikane në Poloni, bën selfie dhe ha pica me ta

Presidenti Joe Biden ka vizituar trupat amerikane, të cilët po punojnë së bashku me aleatët në krahun lindor të NATO-s në Poloni.

Ndalesa e tij e parë ishte me anëtarët e Divizionit të 82-të Ajror të Ushtrisë Amerikane, ku u ftua për një picë dhe bëri edhe një selfie me ta.

Presidenti amerikan Joe Biden ka mbërritur mesditën e sotme në Poloni, pas mbledhjes së samitit të jashtëzakonshëm në Bruksel ditën e djeshme me temë luftën në Ukrainë dhe sanksionet kundër Rusisë.

“Jam këtu në Poloni për të parë drejtpërdrejt krizën humanitare dhe, sinqerisht, një pjesë e zhgënjimit tim është se nuk mund ta shoh nga afër krizën humanitare në Ukrainë. Ata nuk do të më lejojnë,” tha ai.

Biden tha se ukrainasit kanë nevojë për mallra jetike si ushqime, batanije, para dhe ilaçe. Administrata e Biden njoftoi dje se SHBA-të do të japin më shumë se 1 miliard dollarë ndihmë humanitare për ukrainasit e prekur nga lufta.

Rreth 3.6 milionë refugjatë janë larguar nga Ukraina, sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara, ku shumica e tyre kanë mbërritur në Poloni.

“Vuajtjet e ukrainasve kanë ardhur në pragun tuaj. Ju jeni ata që po vendosni në rrezik në disa raste edhe jetën tuaj… dhe populli amerikan është krenar që mbështetet në përpjekjet tuaja,” tha presidenti amerikan për qytetarët polakë.