Bota

Shkon në 4 mln numri i refugjatëve të larguar nga Ukraina

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) bëri të ditur të mërkurën, se më shumë se 4 milionë refugjatë ukrainas janë larguar nga vendi, që kur Rusia nisi luftën, duke shkaktuar krizën më të madhe të refugjatëve në Evropë, që nga Lufta e Dytë Botërore.

Më shumë se 2.3 milionë refugjatë kanë mbërritur në Poloni, ndërsa shumë prej tyre janë vendosur në vende të tjera, ose janë kthyer në Ukrainë.

Ndërkohë rreth 6.5 milionë njerëz janë zhvendosur brenda për brenda vendit, në një përpjekje për t’u larguar nga zonat e konfliktit.

Që nga fillimi i luftës më 24 shkurt, më shumë se 608,000 refugjatë ukrainas ndodhen në Rumani, mbi 387,000 në Moldavi dhe rreth 364,000 në Hungari bazuar të në dhënat që kanë ofruar autoritetet e disa vendeve.

Komisioneri i lartë për refugjatët Filippo Grandi tha se do të shkojë në qytetin e Lvivit për të diskutuar mbi mënyrat për të rritur mbështetjen për njerëzit e prekur e të zhvendosur nga kjo luftë e pakuptimtë, siç e cilësoi ai.

Ekipet e UNHCR-së dhe organizatat partnere të saj kanë punuar për të ofruar mbrojtje, strehim emergjent, ndihmë në para, artikuj thelbësore dhe shërbime të tjera të rëndësishme për ata që janë larguar nga vendi.