Bota

Bursat në rënie, “dridhen” nga varianti Omicron i koronavirusit!

Frika nga varianti Omicron i koronavirusit po reflektohet në tregjet botërore, duke fundosur bursat aziatike, si edhe po cënon perspektivën në ato europiane e të Wall Street-it.

Bursa e Tokios u mbyll me minus 1.6%, e Seulit me minus 2.4%, ndërsa e Hong Kongut pësoi rënie me të paktën 1.9%. Bursat e Shangait dhe Shenzhenit lëvizën më pak. Gjithashtu, parashikimet për Wall Street-in janë me rënie, me Dow Jones që humbet 1% dhe në Europë, Bursa e Frankfurtit 1.2%, e Londrës 1%, e Parisit 1.5%, e Milanos dhe Madridit, 1.6%.

Për fundosjen e bursave duket se patën efekt fjalët e shefit të kompanisë Moderna. Për “Financial Times”, Stéphane Bancel tha se priste “rënie të konsiderueshme” në efektivitetin e vaksinave aktuale anti-COVID, ndërsa do të duhen muaj, për të pasur vaksina të reja efektive. Frika për ndikimet e variantit të ri në ekonomi u ndjenë edhe te nafta, me vlerën e saj që ra 2.3%, në 68.3 dollarë për fuçi nga 71.49 krahasuar me pak ditë më parë.

Rreziku global i variantit të ri të koronavirusit, Omicron, klasifikohet si “shumë i lartë” nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH. Në një dokument të publikuar dje, agjencia e OKB-së theksoi gjithashtu, se shkencëtarët dinë ende shumë pak mbi mënyrën si Omicron do të ndikojë në rrjedhën e pandemisë. Sipas OBSH, nëse ka një rritje të mprehtë të infeksioneve për shkak të këtij varianti, “pasojat mund të jenë të rënda”, sidomos në vendet ku pak njerëz janë vaksinuar, të cilët mund të preken rëndë.

Në një deklaratë, OBSH theksoi:

Ekziston pasiguri thelbësore në lidhje me transmetueshmërinë e Omicron, potencialin e imunitetit, paraqitjen klinike, ashpërsinë e sëmundjes dhe përgjigjen ndaj kundërmasave të tjera të disponueshme.

Vlerësimi i OBSH-së bazohet, ndër të tjera, në faktin se Omicron, që u zbulua në Afrikën Jugore, ka një sërë mutacionesh që kanë çuar në një rrezik më të lartë të infektimeve të përsëritura te pacientët e rikuperuar nga variante tashmë të njohura.