Bota

Bullgaria ndalon importet e naftës ruse!

Bullgaria ka ndaluar importet e naftës bruto ruse, përpara afatit dhe kjo sipas masave të miratuara në përgjigje të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia e që vijon prej rreth dy vitesh tashmë.  Bëhet e ditur se ndalimi i importeve të naftës ruse prek rafinerinë e naftës “Lukoil Neftochim”, e vendosur në perëndim të qytetit port bullgar të Burgasit në Detin e Zi. Në pjesën më të madhe, kjo rafineri është në pronësi të gjigantit rus të naftës dhe të minierave “Lukoil”.

Në një raport të publikuar nga gazeta bullgare “24 Chassa”, thuhet:

Nafta e papërpunuar ruse do të zëvendësohet nga furnizimet nga Kazakistani, Iraku dhe Tunizia.

Ndalimi i importit të Bullgarisë hyri në fuqi në fund të vitit të kaluar, pavarësisht një heqjeje të veçantë ndaj sanksioneve të Bashkimit Europian kundër Rusisë dhe që do t’i lejonte shtetit bullgar që të vazhdonte importimin e naftës së papërpunuar ruse deri më 1 tetor.

Duke ndaluar importet ruse të naftës, qeveria bullgare po kërkon të mohojë fitimet e “Lukoil”-it dhe qeverisë ruse e që mund të përdoren për të financuar luftën.

Po ashtu, mësohet se Bullgaria ndaloi marrjen e gazit natyror rus në vitin 2022, kur kompania shtetërore ruse e energjisë “Gazprom” ndërpreu furnizimet pas refuzimit të qeverisë bullgare për të paguar gazin në rubla ruse.

Kujtojmë se përpara vitit 2022, Bullgaria ishte pothuajse plotësisht e varur nga gazi rus për furnizimet me energji. Për shkak të luftës së paprovokuar të Rusisë ndaj Ukrainës dhe që Moska zyrtare vazhdon ta përshkruajë si “operacion special ushtarak”, Perëndimi u rreshtua në krah të Kievit dhe zgjodhi t’i përgjigjej me sanksione ekonomike Rusisë duke shënjestruar kompani e individë të lidhur me pushtetin e presidentit Vladimir Putin, i cili përgatitet të garojë për një tjetër mandat në zgjedhjet e mesit të këtij muaji.

Ndërkaq, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy vazhdon të kërkojë ndihmë ushtarake për të ndihmuar operacionet e trupave të vendit të tij në luftimet me pushtuesit rusë. Në vizitën e 28 shkurtit në Tiranë ku u mbajt një samit për Ukrainën, me pjesëmarrjen e liderëve të rajonit, Zelenskyy kërkoi nga vendet e Ballkanit, përfshirë Shqipërinë, bashkëprodhim të municioneve.