Showbiz

Cara Delevingne mbron “Girls” të Rita Ora-s: “Ajo s’ka bërë asgjë të gabuar”

Gjatë javës së parë të publikimit të “Girls”, në bashkëpunim me Bebe Rexhën, Cardi B dhe Charli XCX, Rita Ora është përballur me kritika të shumta, sipas të cilave teksti i këngës banalizon natyrën e seksualitetit.

Madje, këngëtarja me origjinë kosovare shkroi në “Twitter”: “Nuk do t’i bëja kurrë keq me qëllim njerëzve të komunitetit LGBT, ose askujt tjetër”. Modelja Cara Delevingne, për të cilën është thënë se i është dedikuar kënga, deklaroi se kritikat kundër këngës së Rita Orës nuk kanë lidhje me të vërtetën e saj: “Nuk mendoj se është e drejtë të thuash se eksperienca dhe fjalët e saj janë të gabuara. Nëse nuk do të ishte ndjerë kurrë në atë mënyrë dhe nëse nuk do të ishte e vërtetë do të ishte e çuditshme. Është krenare për diçka dhe e thotë”.

Gjatë intervistës për revistën “Paper”, Delevingne shtoi: “Jam fanse e të gjitha artisteve të përfshira, Cardi B, Charli XCX e Bebe Rexha. Mendoj se është një këngë fantastike. E adhuroj Ritën. Mendoj se është një artiste e mrekullueshme, e mbështes gjithnjë në atë që bën dhe nuk ka pse të kërkojë ndjesë për asgjë dhe duhet të vijojë me promovimin e këngës. Nuk ka bërë asgjë të gabuar”. Pak javë më parë Rita Ora u vetëdeklarua biseksuale dhe pas daljes së këngës “Girls” u përfol që ajo i ishte dedikuar ish-partneres së saj, modeles Cara Delevingne.