Politikë

Dështon mbledhja e Komisionit Hetimor për koncesionet në Shëndetësi!

Mbledhja e Komisionit Hetimor për koncesionet në Shëndetësi e parashikuar për ditën e sotme ka dështuar. Anëtarët e Partisë Socialiste nuk u paraqitën në mbledhje, pasi sipas tyre nuk kishte vendimmarrje për mbledhjen e radhës.

Kryetarja Albana Vokshi, ndërsa karriget e socialistëve ishin bosh, hodhi akuza ndaj tyre se po bëjnë përpjekje për të bllokuar punën e komisionit për dy koncesionet, sterilizimin dhe check up-in.

‘Po tenton të pengojë punën, në papërgjegjshmëri totale, duke përdorur hile, pretekste të paqena. Bazuar në rregullore unë do njoftoj mbledhjen e ardhshme ditën e premte. Kam marrë firmat e deputetëve të opozitës, dhe mbledhja do thirret të premten. Kam njoftuar një konferencë për shtyp.’- tha Vokshi.

Ndërkohë, nënkryetari Plarent Ndreca në një reagim për Report Tv shpjegon se nuk u paraqitën në mbledhje pasi s’kishte një vendim. Sipas tij, kryetarja Vokshi refuzoi që të flasë ditën e djeshme, për pikën e fundit të rendit të ditës, që parashikonte caktimin e mbledhjes së radhës.

“Nuk ka vendim nga Komisioni për mbledhje sot. Ka qenë pika e fundit e rendit të ditës që Vokshi refuzoi ta diskutonte”, tha Ndreca në një reagim për Report Tv.
Ditën e djeshme u miratuan ekspertët që do të ndihmojnë punën e Komisionit Hetimor për Koncesionet në Shëndetësi, ndërsa socialistët refuzuan edhe të nënshkruanin formularin për konfliktin e interesit.