Aktualitet Politikë

Dështon mbledhja e Komisionit Hetimor për Shëndetësinë, deputetët e PS nuk paraqiten sërish. Albana Vokshi thirrje Nikollës!

Mbledhja e Komisionit Hetimor për Shëndetësinë ka dështuar sërish.

Kjo sepse deputetët e PS nuk janë paraqitur sërish në mbledhjen e thirrur nga Albana Vokshi.

Në mbledhjen e pak ditëve më parë, përmes një shkrese zyrtare, Partia Socialiste i është përgjigjur opozitës, pas bojkotit, duke deklaruar se Komisioni Hetimor për Check-up nuk ka arsye të mblidhet deri në hartimin e këtij plani hetimor.

Në këtë komision pritej që të miratohej plani i hetimit 3 javor si edhe kërkesat për informacion. Kjo është hera e tretë që anëtarët e mazhorancës në këtë komision zgjedhin të mos marrin pjesë.

Kryetarja e Komisionit, Albana Vokshi tha se do t’i drejtohen me një kërkesë kryeparlamentares Lindita Nikolla që të sigurojë mbarëvajtjen e mbledhjes. Në të kundërt, nëse socialistët mungojnë edhe një herë tjetër, Vokshi tha se do kërkojnë zëvendësimin e tyre siç e parashikon ligji.

“Bardhi si kreu i grupit do i dërgojë një letër kryetares së Kuvendit, duke i kërkuar se është përgjegjësi e Nikollës që të marrë masat për mbarëvajtjen e punës së këtij komisioni. Nëse deputetë mungojnë më shumë se tre herë pa arsye të ligjshme duhen larguar nga komisioni dhe zëvendësuar me të tjerë. Kjo është hera e tretë që 8 deputetë mungojnë pa arsye të paligjshme, ndaj nëse mungojnë edhe njëherë do kërkojmë largimin e nënkryetarit dhe sekretarit dhe të marrin masa për anëtarët e tjerë të komisionit”, tha Vokshi.

Mungesën e socialistëve, deputetja demokrate Ina Zhupa e sheh si një demaskim të interesit të tyre për të bllokuar punën e komisionit.

“Nuk ka as lajm as surprizë.  Kjo nuk është një pamje normale ku mazhoranca të bojkotojë një vendim që e ka marrë edhe vetë. Kanë harruar që e vërteta vonon, por nuk harron. Drejtësia do vihet, ne do arrijmë t’i marrim ato informacione, do bëjmë publike çdo gjë siç e kemi bërë edhe para. Kështu po demaskojnë veten e tyre, interesin për të bllokuar këtë komision”, tha Zhupa.

Pa e prezantuar publikisht në mbledhje, Vokshi tha se është depozituar në Kuvend plani hetimor i këtij komisioni, i konsultuar vetëm me 2 ekspertët ligjore të opozitës dhe pa dyshen e mazhorancës.

“Është kërkuar të shtyhet brenda datës 15 prill, dhe shqyrtimi paraprak deri më 20 prill, të pyeten dëshmitarët deri më 10 qershor”, u shpreh Vokshi.

Në mungesë të një vendimi të unifikuar të komisionit me deputetët socialist, Vokshi tha se ka gjetur mënyrën për të dorëzuar kërkesat për informacion ndaj institucioneve që mendohet se kanë lidhje me 2 koncesionet e dhëna në shëndetësi

“Janë dërguar mbi 40 kërkesa dhe po vijojnë të dërgohen, e kemi bërë në statusin e deputetit,  se s’na lejojnë të përdorim logon e komisionit hetimor se duhen vendime të ndërmjetme- po ne kemi gjetur hapësirë tjetër”, tha Vokshi.

E pyetur përse Rithemelimi hoqi dorë nga 2 koncesione të tjera, hemodializën dhe laboratorët spitalorë të përfolura pas 1 emri të vetëm, Klodian Allajbeu të Spitalit Amerikan, përgjigjen Vokshi e gjeti tek ngarkesa e punës që do kishte komisioni në hetimin e 4 koncesioneve.

Insistimit për të marrë përgjigje se pse komisioni nisi punën me 2 koncesionet që në fakt SPAK i ka në dorë dhe jo ndaj 2 kontratave që nuk janë në hetim penal, Vokshi iu përgjigj duke sulmuar Prokurorinë e Posaçme.

“Ne kemi rezervat tona ndaj hetimeve përsa i përket hetimeve për sterilizimin. Është korruptive kjo që ka bërë Beqaj, dhe është dërguar nga SPAK me shpërdorim detyre, ndërkohë s’ka akuzë dhe s’është hetuar ish-ministrja Manastirliu”, tha Vokshi.