Aktualitet

Zgjedhja e kryebashkiakut, përplasje në Këshillin Bashkiak të Himarës! (Video)

Përplasje e tensione në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Himarës që sot duhet të zgjedhë kryetarin e komanduar të bashkisë. Me Fredi Belerin që fitoi vendoret e 14 Majit 2023, por u dënua për korrupsion zgjedhor e nuk është lejuar nga gjykatat të bëjë betimin dhe me Jorgo Goron e arrestuar për tjetërsim pronash e që dha dorëheqjen si kryebashkiak në detyrë, Himara ka mbetur pa kryetar.

Ligji përcakton se mblidhet Këshilli Bashkiak për të komanduar si drejtues një emër mes dy nënkryetarëve aktualë e që janë Blerina Bala dhe Pervin Gjikuria. Por, në sallë pati tensione dhe persona të identifikuar si mbështetës të Belerit kërkuan që të dilnin prefekti i Qarkut Vlorë, Vangjel Tavo dhe deputeti socialist, Blendi Klosi. Vangjel Tavo u largua.

Ta marrin ta nxjerrin jashtë Tavon, nuk është i joni… Merreni, nxirreni jashtë!

Nuk është kryetari ynë ai!

 

Nuk përjashtohet mundësia që mbledhja të zhvillohet në një sallë tjetër nëse vazhdon pengimi. Partia Socialiste ka 13 vota në Këshill, përkundrejt 8 votave të koalicionit opozitar, çka nënkupton se maxhoranca do të zgjedhë e vetme.

Ja çfarë thuhet në Nenin 61, pika 5:

Me përfundimin para kohe të mandatit të kryetarit të bashkisë, sipas këtij neni, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, funksionet e tij i kryen  Zv. kryetari i bashkisë. Në rastet kur ka më shumë se një zëvendëskryetar bashkie, këshilli përkatës, me shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të tij, cakton një nga zëvendëskryetarët të kryejë funksionet e kryetarit deri në zgjedhjen e kryetarit të ri.

Teksa socialistët kanë shumicën në Këshillin Bashkiak të Himarës, burime mediatike bëjnë të ditur se Blerina Bala është pretendentja kryesore për të drejtuar bashkinë deri në zgjidhjen përfundimtare të ngërçit. Për të shkuar drejt zgjedhjeve të parakohshme në Himarë, fillimisht do të duhet që Apeli i Gjykatës së Posaçme të japë një vendim përfundimtar për Fredi Belerin.

Ndërkohë, Jorgo Goro u arrestua në datën 23 mars. Ai akuzohet për tjetërsim pronash, rreth 10 mijë hektarë.