Bota Health & Beauty

Dita Botërore e Larjes së Duarve, COVID-i e theksoi veprimin që shpëton jetë!

“E ardhmja në dorën tënde!”. Ky është sllogani i Global Handwashing Day 2021, pra, Ditës Botërore të Larjes së Duarve 2021. Një veprim i thjeshtë, por thelbësor, çka dihej në fakt, por pandemia COVID e theksoi.

Në fakt, të lash duart është një prej mënyrave më efikase për të ndalur përhapjen e viruseve e të baktereve. Shmanget një në tre infeksione gastrointestinale dhe parandalohet një infeksion në 5 i rrugëve të frymëmarrjes.

Global Handwashing Day – Eshtë dita që i kushtohet këtij veprimi të thjeshtë, i cili shpëton jetë e shënohet nesër, më 15 tetor. Në një vit e gjysmë, koronavirusi po nënvizon rëndësinë e një higjene korrekte të duarve.

Cdc, Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Shtetet e Bashkuara:

Edukimi për një larje korrekte të duarve mund të reduktojë numrin e njerëzve që sëmuren me diarre, me 23-40%, të atyre me probleme gastrointestinale me 25-57% e të personave me sëmundje të frymëmarrjes, si ftohje, me 16-21%.

Përveçse përmes pështymës, sëmundjet infektive transmetohen edhe nëpërmjet sipërfaqes së duarve që infektohen lehtësisht. Për këtë arsye duhen larë në mënyrë të vazhdueshme e me kujdes.

Ekspertët shpresojnë që “shenja pozitive e lënë nga mësimi i COVID-it mbi larjen e duarve, të zgjasë sa më shumë”.

Global Handwashing Day, i themeluar në 2008-ën, synon të rrisë ndërgjegjësimin mbi temën, që në “normalitetin e ri” të lidhur me pandeminë, të institucionalizohet larja e duarve, element shumë i rëndësishëm për shëndetin e sigurinë.