Rajoni

Dodik i përgjigjet deklaratës së Escobarit: Republika Srpska ka fuqi të shkëputet!

Milorad Dodik i përgjigjet Gabriel Escobarit. Presidenti i Republikës Srpska të Bosnjë-Hercegovinës tha se entiteti serb “ka forcë” e se mund të funksionojë edhe “nën trysni të madhe tinëzare” nga Shtetet e Bashkuara. Kjo pasi zyrtari i lartë amerikan, Gabriel Escobar theksoi se ky entitet nuk ka kapacitetin për t’u bërë i pavarur. Në një postim në X, Dodik shkroi:

Ata frikësohen se nuk po qeverisin këtu ashtu siç duan dhe pikërisht këtu, Republika Srpska e tregon fuqinë e saj. Ata po përpiqen të shkatërrojnë Marrëveshjen e Dejtonit për Paqen e për këtë na fajësojnë. Prandaj Republika Srpska ka forcë.

Që kur u arrit Marrëveshja e Dejtonit, e cila i dha fund luftës së Bosnjës të viteve 1992-1995, Bosnjë- Hercegovina përbëhet nga federata boshnjako-kroate e nga Republika Srpska, nën një qeveri të dobët qendrore. Ndërkaq, mbikëqyret nga një përfaqësues i lartë civil me mbështetjen e OKB-së dhe me një pushtet të madh, pozitë që aktualisht mbahet nga Christian Schmidt, i kundërshtuar nga Dodik.

Dodik shtoi se “qëllimi i Escobarit ishte ta shfaqte Republikën Srpska si vend të keq, që nuk mund të jetojë pa ndihmën dhe mbështetjen amerikane”.

Nëse amerikanët po lobojnë që Kosova të jetë shtet, pse t’i pengojë Republika Srpska si shtet? Republika Srpska ka paga më të mira, ekonomi më të sigurt dhe eksporte më të madha, më pak borxhe. Ka gjithçka më të mirë se ai përbindëshi nga i cili po përpiqen të krijojnë shtet.

Dodik pretendoi se Shtetet e Bashkuara janë përpjekur ta “dëmtojnë” Republikën Srpska në Bosnjë- Hercegovinë “për tri dekada” dhe se deklarata e fundit e Escobarit nuk është rastësi e vjen në një kohë kur Bosnja duhet të hapë bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Ata nuk bëjnë gjë, na sanksionojnë, kërcënojnë bankat për të mos bashkëpunuar me qeverinë, me autorietet e Republikës Srpska, më akuzojnë dhe janë të bezdisur nga lidhjet tona me presidentin Vladimir Putin dhe që ne po nisim bisedimet me BE-në.

Prej dy vitesh, Dodiku po përpiqet që entiteti i Bosnjës të marrë drejtimin e shtetit dhe të krijojë institucione paralele, duke kërcënuar se Republika Srpska do të ndahet nga Bosnjë-Hercegovina përgjithmonë.

Për shkak të “veprimeve të tij kundër Marrëveshjes së Dejtonit”, Dodik është në listën e të sanksionuarve nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe. Më herët, ai ka deklaruar se nuk ka frikë nga paralajmërimet amerikane dhe ka kërcënuar se do ta kthejë kufirin e entitetit, në kufi shtetëror.

Ambasada amerikane në Sarajevë paralajmëron për rrezikun e politikës separatiste të Dodikut, duke deklaruar se “vë në rrezik perspektivën europiane të Bosnjë-Hercegovinës, demokracinë dhe ekonominë e vendit”.