Bota

Kina tregon “muskujt” dërgon dhjetëra avionë luftarakë mbi Tajvan!

Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit njoftoi se 32 avionë luftarakë të ushtrisë kineze janë detektuar përreth ishullit në 24 orët e fundit. Ky është numri i dytë më i lartë i mjeteve ajrore kineze të lokalizuara mbi ishullin vetëqeverisës prej fillimit të këtij viti. Po ashtu, Ministria e Mbrojtjes Kombëtare të Tajvanit u shpreh se në 24 orët e fundit janë parë edhe pesë anije të Marinës së Kinës përreth Tajvanit. Më tej, në një deklaratë u shtua:

Trembëdhjetë avionë kanë kaluar vijën e mesme në Ngushticën e Tajvanit.

Kjo vijë është kufiri jozyrtar mes Kinës dhe Tajvanit. Forcat e armatosura të Tajvanit thonë se kanë “monitoruar situatën” dhe se dislokuan një avion patrullues, anije të Marinës, si dhe sisteme të mbrojtjes raketore, si një përgjigje ndaj aktiviteteve të detektuara”.

Në fund të janarit e në fillim të shkurtit, kjo ministri kishte detektuar 33 avionë luftarakë kinezë rreth ishullit, numër rekord i avionëve të evidentuar gjatë këtij viti. Detektimi i tyre pasoi zgjedhjet presidenciale të 13 janarit, të cilat i fitoi zëvendëspresidenti aktual, Lai Ching-te, por që Pekini zyrtar e kundërshton.

Muajin e kaluar, Tajvani raportoi se 11 luftanije kineze u detektuan përreth ishullit, numri më i madh gjatë këtij viti, teksa Tajpei dhe Pekini u përplasën e pasojat ishin fatale. Një anije kineze peshkimi, me katër persona në bord, u fundos më 14 shkurt në afërsi të Tajvanit, teksa po ndiqej nga rojet bregdetare tajvaneze. Gjatë këtij incidenti, dy persona u vranë dhe dy të tjerë shpëtuan.

Kjo ndodhi në kohën kur tensionet mes Kinës dhe Tajvanit janë të larta. Kina e konsideron Tajvanin pjesë të territorit të saj dhe nuk e përjashton mundësinë që një ditë të marrë kontrollin e tij, qoftë edhe me forcë.

Tajvani për një kohë të gjatë ka shkaktuar telashe në raportet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Teksa raportet janë përkeqësuar në vitet e fundit mes dy rivalëve, frika është rritur se Uashingtoni mund të përfshihet në luftë, nëse shpërthejnë armiqësitë.

Ushtria e Tajvanit është shumë më e vogël se e Kinës dhe ishulli vetëqeverisës po blen armatime të teknologjisë së lartë nga Shtetet e Bashkuara, po e rivitalizon industrinë vendore të armëve dhe ka zgjatur shërbimin e detyrueshëm ushtarak nga katër muaj, në një vit.