Aktualitet Politikë

Dosja e vulës së PD në gjykatën e Apelit, zgjidhet trupa gjykuese!

Alma Ahmeti, Iliba Bezati, Elona Toro, janë tre gjyqtaret që do të shqyrtojnë dosjen e vulës së PD në gjykatën e  Apelit.

Një ditë pasi Gjykata e Lartë zbardhi vendimin e arsyetuar se përse riktheu çështjen në Apel, Gazment Bardhi kërkoi shqyrtimin e menjëhershëm.

“Partia Demokratike e Shqipërisë është pronë e anëtarëve të saj, aset kombëtar, dhe çështje e interesit publik, që ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në jetën publike, shtetërore, institucionale të vendit. Çdo zvarritje do të ishte e papranueshme, sepse dëmton opozitën dhe përmes saj dëmton Shqipërinë!”, komentoi Bardhi.

Edhe Nënkryetarja e Partisë Demokratike zyrtare, Orjola Pampuri në një reagim pas hedhjes së shortit dhe përcaktimit të trupës gjykuese kërkoi që Apeli ta trajtojnë çështjen me prioritet dhe me profesionalizëm.

Tre muaj më parë Gjykata e Lartë vendosi të prishë vendimin e Gjykatës së Apelit të Tiranës, me argumentin se “ka lejuar shkelje procedurale që e bëjnë të cenueshëm vendimin e dhënë prej saj”. Në vendimin prej 36 faqesh, Kolegji i Gjykatës së Lartë vlerësoi se rekursi i paraqitur nga pala kërkuese në këtë gjykim, Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit përmbante shkaqe të cilat, e bëjnë të cenueshëm vendimin e dhënë nga Gjykata e Apelit

Sipas Gjykatës së Lartë, çështja duhet rigjykuar në Apel nga një trupë tjetër. Zbardhja e vendimit i hap rrugë kështu nisjes zyrtare te procesit në Gjykatën e Apelit.