Aktualitet

Drogë me postë nga Amerika në Shqipëri, dy në pranga dhe një në kërkim!

Trafikonin lëndë narkotike të llojit Cannabis Sativa nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës drejt Shqipërisë përmes kutive të shërbimit postar, dy në pranga në Tiranë dhe një bashkëpunëtor i tyre i shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit policor të koduar “Çikago”. Njëri prej të arrestuarve është i mitur, 16-vjeç. I prangosuri tjetër dhe personi në kërkim janë 23-vjeç. U sekuestruan 5 kg Cannabis Sativa me përqindje të lartë THC. Nëse sasia shitej në treg, fitimi do të ishte 90 mijë euro.  Materialet i kaluan Prokurorisë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Njoftimi i plotë zyrtar:

Tiranë/Finalizohet pas një pune hetimore disamujore, operacioni policor i koduar “Çikago”.

Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Doganor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, në drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Trafikonin lëndë narkotike canabis sattiva nga SHBA, në vendin tonë, duke përdorur shërbimin postar, vihen në pranga dy shtetas dhe shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tyre.

Sekuestrohen 5 kg cannabis sativa, me përqindje të lartë THC dhe me vlerë 90 000 euro nëse do të shitej te përdoruesit, e ndarë në pako, 5 aparate celulare, 8000 euro, dhe shuma të tjera parash.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Doganor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, në drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pas një pune hetimore disamujore, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Çikago”.

Si rezultat u godit një grup që trafikonte lëndë narkotike, nga SHBA në Shqipëri, me anë të shërbimit postar dhe u vu në pranga shtetasi G. D., 23 vjeç dhe një 16-vjeçar. Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi S. K., 23 vjeç.

Tre shtetasit në bashkëpunim me njëri-tjetrin, trafikonin lëndë narkotike me përqindje të lartë THC, nga SHBA në Shqipëri, me anë të shërbimit postar.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 5 kg cannabis sativa me përqindje të lartë THC e me vlerë 90 000 euro nëse do të shitej te përdoruesit, 5 aparate celulare, 8000 euro dhe shuma të tjera parash.

Materialet në ngarkim i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.