Celebrities Live From Tirana

Eksluzivisht për TAR/Mariza Ikonomi na tregon për udhëtimet e saj dhe jo vetëm…

Sot, e ftuar në emisionin “Live From Tirana” ishte këngëtarja e njohur Mariza Ikonomi për të folur në lidhje me udhëtimet dhe jo vetëm. Kur ka qenë udhëtimi i parë jashtë shtetit për Marizën?

Shumë e vogël, 10-vjeçe në Francë me “Pallatin e Pionerëve”, e kam bërë me autobus gjithë udhëtimin. Kam qenë me Jonidën dhe Elsën dhe në do të shkonim në një vend tjetër, por kur shkuam tek kulla e Parisit isha kaq e lodhur nga rruga sa që thjesht e pashë dhe u ktheva nga ana tjetër për të fjetur gjumë (qesh). Ajo që më ka bërë përshtypje ishin njerëzit, gjërat ndryshe nga ne. Unë historikisht kam ndejtur me njerëz më të mëdhenj se vetja, me goca më të mëdhaja sesa unë dhe shihja mënyren sesi gocat i shinin gjërat, lirshmërinë që kishin apo mënyrën se si njerëzit ishin me njëri-tjetrin.

Ndërsa lidhur me muzikën apo projektet e saj, Mariza shprehet se:

Është normale të rrish 1 vit pa këngë, por tani është bërë që kush ka lek prodhon. Vetë ti, ke nevojë të rikuperohesh pak dhe të dish çfarë po bën, sepse kur prodhon gjithë kohës, prodhon por nuk ke cilësi. Çdo gjë tashmë është bërë konsum. Nëse ti ke një menaxher është shumë më e thjeshtë, kurse kur i bën vetë do më shumë kohë. Kam bërë një këngë të re, kolonë zanore e filmit “2 Luanët e Venecias”, e cila edhe kjo është italisht. Në fakt janë 2 kengë jo 1.

Cili është një udhëtim që këngëtarja e ruan si më të bukurin?

Kur kam qenë 13-vjeçe kam udhëtuar për në Hollandë, atëherë ka qenë e vështirë për të marrë vizën. Ne shkuam për të inçizuar një album në Rotterdam të Hollandës, unë kam ndejtur me grupin tim dhe ajo që më ka bërë përshtypje nga udhëtimi ishte kultura e tyre, shtepitë e bukura, mënyra si bënin muzikë. Më dukej vetja si në parajsë.

Kam qenë në vitet ’96 por ka qenë një periudhë tranzicioni shumë e vështirë, nga një vend që ne nuk kemi pasur asgjë, ajo eksperienca ndryshe me të huaj, mënyra sesi punonin dhe i shihnin gjërat ishte fantastike. Ishte një nga udhëtimet më të bukura që kam bërë.

Çfarë çmendurie ka ndodhur në udhëtimet e saj që Mariza e kujton edhe sot e kësaj ditë?

Udhëtimi gjithmonë është i barabartë me çmenduri sepse vetë vendi të bën të besh gjëra të çmendura. Thjesht nga ideja që ti nuk di gjuhën e tyre, ngatërrohesh me shumë gjëra është një çmenduri më vete. Përshembull ishte pjesa e gjuhës që ne nuk e dinim dhe kuptoheshim me ‘body language’. T’ju tregoj një rast, në Hollandë në oren 17:00  hanin drekën dhe darkën, po ku është mësuar shqiptari ashtu, ne duam 7 vakte (qesh) dhe një natë çohet njeëri nga grupi shkoi tek frigoriferi dhe të shtëpisë mendonin se kishte ardhur hajduti. 

Mariza flet edhe për të ardhurat e saj të para…

Për pjesën e lekëve, që në moshën 9-vjeçare puna ime e parë ka qenë në cirkun e Tiranës dhe kurrë nuk kam marrë para nga familja, jam mësuar me disiplinën e punës që 9 vjeçe. Bëja zërin e fëmijës si bebe dhe ishte një punë që më jepte të ardhura. Gjyshi im ka thënë puna është nder, është favor dhe jam mësuar me këtë gjë. Më kanë ndihmuar financiarisht në disa momente, por nuk ka ndodhur të më jepnin para gjithë kohës.

Destinacioni që ende nuk e ka vizituar këngëtarja…

Para se të ndodhte pandemia kisha një udhëtim për Rio De Janeiro, bëja plane me një shoqen time që jeton atje, oferta ishte për 3 muaj por nuk shkova dot.

Mariza ka performuar në Karaibe. Si e karakterizon ajo atë eksperiencë?

Atje bënim ‘musical’ dhe shumë gjëra të bukura. Gjithmonë mua më ka ecur më shumë jashtë sesa në Shqipëri. Muzika internacionale është fantastike, jashtë janë mundësitë ndryshe dhe ti provon veten mbi të gjitha. Nëse këtu ke një emër atje është një test sesi të pret publiku në një vend të panjohur. Rezultati ishte i mrekullueshëm dhe është një ndjesi komplet ndryshe. Ajo që mua më pëlqen në gjithë këto udhëtime është se ti gjen veten tënde. Kur ti je për një kohë të gjatë atje, jeton me vendin, njerëzit, rrethanat, qoftë dhe me intrigat e artit të cilat të forcojnë dhe të rrisin si person dhe çdo njeri duhet ta provojë zbulimin e vetes.

Por çfarë nuk do donte të provonte Mariza?

Atë që nuk do doja të provoja është pjesa e intrigave të artit. Përshembull, shpifjet ose kur kanë dashur të më heqin nga aty. Por kam njohur dhe njerëz të mëdhenj që më kanë ndihmuar por dhe më kanë rritur profesionalisht dhe që do iu jem mirënjohës gjithë jeten. Kjo është arsyeja që më pëlqejnë udhëtimet dhe këndoj jashtë. Nuk më ka ndodhur të më gjykojnë që jam e huaj.

Çfarë mendon Mariza Ikonomi për mënyrën e të udhëtuarit sot?

Ka ndryshuar sepse rrjetet sociale na kanë bërë inteligjentë në këtë pjesë. Më pëlqen kjo pjesa që të rinjtë janë eksplorues të natyrës jo vetëm jashtë por edhe në vendin e tyre Shqipërinë. Kanë filluar t’ja dinë shumë vlerën. Kjo vlen edhe për mua sepse unë më tepër njihja botën sesa vendin tim. Besoj që ka ndryshuar edhe pjesa e udhëtimeve, më shumë tek të rinjtë sesa tek pjesa tjetër. Nga një anë është bukur kjo pjesa që ti nuk e di çfarë të pret.