Bota

Eksod largimesh nga Sudani, OKB-ja në gatishmëri: Pritet që shifrat të arrijnë deri në 270 mijë!

Armëpushimi në Sudan ka sjellë një numër të lartë largimesh, ndërsa Organizata e Kombeve të Bashkuara po qëndron në gatishmëri për të përballuar situatën e vështirë.

Gjatë deklaratave, ata u shprehën se eksodi i sudanezëve pritet të arrijë deri në 270 mijë persona. Për të siguruar transportimin e tyre në Sudanin Jugor dhe Çad, ekipet humanitare të OKB-së duhet të përfundojnë planet brenda afatit prej 72 orësh.

Aktualisht po punohet për të strehuar të sigurt një grup prej 20 mijë refugjatësh, ndërsa më pas do të vijohet me pjesën tjetër. Zëdhënësja e organizatës së refugjatëve deklaroi se ende nuk ka një numër përfundimtar refugjatësh, por puna po vijon intensivisht.

 “Kemi marrë raporte për njerëz që kanë filluar të mbërrijnë në Egjipt, numrat e saktë nuk janë të disponueshëm në këtë pikë. Disa nga lëvizjet e popullsisë që presim të vëzhgojmë në ditët në vijim përfshijnë daljet e refugjatëve të rinj sudanezë në vendet fqinje, u shpreh Olga Sarrado – zëdhënëse e UNHCR-së .

Në lidhje me situatën kaotike, zëdhënësi i Kordinimit të Çështjeve Humanitare, deklaroi se nivelet humanitare në Sudan kanë arritur pikat kulminante.

“Nevojat humanitare në Sudan janë në nivele rekord përpara shpërthimit të fundit të luftimeve. Rreth 15.8 milionë njerëz, kërkojnë ndihma humanitare. Kjo është më shumë se një grusht në fytyrën e atyre njerëzve që janë në nevojë. Pra po i bëjmë jehonë thirrjeve që luftimet të ndalen”, tha Jens Laerke – zëdhënës i Zyrës për Koordinim i Çështjeve Humanitare.

Prej disa ditësh Sudani është në gjendje të vështirë për shkak të sulmeve që kanë lënë të vdekur qindra persona. Përplasjet e dhunshme midis dy ushtrive rivale, ushtrisë së rregullt vendase dhe trupave paraushtarake që njihen si Forcat e Mbështetjes së Shpejtë, ka ngritur alarmin pasi asnjëra nga palët nuk po tërhiqet.