Bota

Ekzekutimet e të dënuarve në Iran, shifra të frikshme!

Numri i ekzekutimit të personave të dënuar në Iran ka shënuar një rritje jashtëzakonisht të madhe në vitin 2023, referuar të dhënave nga Amnesty International, organizatë e cila tha se gjysma e të ekzekutuarve ishin të dënuar për akuza në lidhje me drogën. Sipas grupit për të drejtat e njeriut, kjo vë në pah “ndikimin joproporcional të politikave vdekjeprurëse të autoriteteve iraniane kundër lëndëve narkotike në komunitetet e varfra e gjithashtu të margjinalizuara”.

Në një raport të publikuar sot, Amnesty International thekson se “Republika Islamike kreu 853 ekzekutime vitin e kaluar. Së paku 481 prej të ekzekutuarve ishin të dënuar për trafik lëndësh narkotike”.

Dënimi me vdekje është i neveritshëm në të gjitha rrethanat, por përdorimi i tij në një shkallë të lartë për dënimet në lidhje me përdorimin e drogës pas gjykimeve tejet të padrejta para Gjykatave Revolucionare, është një abuzim grotesk i detyrës, tha Diana Eltahawy, zëvendësdrejtoresha rajonale e Amnesty për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.

Po ashtu, Amnesty International e ka akuzuar qeverinë iraniane edhe për “armatimin e dënimit me vdekje”, për t’i sulmuar “protestuesit, disidentët e pjesëtarët e pakicave të shtypura etnike”. Grupi bëri thirrje për “përgjigje të fuqishme globale”, për t’i bërë presion Teheranit për ta pezulluar përkohësisht dënimin me vdekje.

Pas një vale protestash kombëtare që e goditën vendin në pjesën e dytë të vitit 2022, Amnesty shkroi:

Autoritetet iraniane e rritën përdorimin e dënimit me vdekje si armë për t’i shtypur disidentët.

Numri i të ekzekutuarve në Iran në vitin 2023 ishte më i larti prej vitit 2015 e 172% më i lartë se në vitin 2021, kur Ebrahim Raisi u bë president dhe Gholamhossein Ejei u emërua kryetar i gjyqësorit, theksoi Amnesty International në raport.

Qeveria iraniane nuk i publikon të dhënat zyrtare për numrin e ekzekutimeve, por Amnesty punoi me grupet iraniane për të drejtat e njeriut, për t’i dokumentuar rastet duke përdorur burime të hapura si mediat shtetërore dhe gjithashtu organizatat për të drejtat e njeriut.

“Të paktën 95 ekzekutime u raportuan më 2024-ën në Iran deri më 20 mars”, tha grupi për të drejtat e njeriut, duke shtuar se beson se “numri i vërtetë është më i lartë”.