Bota

“Skenari i makthit”: Izraeli po shqyrton opsionet për t’iu përgjigjur Iranit!

Sulmi i Iranit kundër Izraelit e shtyu Lindjen e Mesme në prag të një lufte të përgjithshme. Teherani  lëshoi qindra dronë dhe raketa drejt shtetit hebraik më 13 prill, duke kryer sulmin e parë të drejtpërdrejtë kundër armikut të tij të përbetuar. Pas këtij sulmi, Izraeli po shqyrton opsionet e veta që sipas analistëve mund të jenë nga një ofensivë diplomatike për ta izoluar Iranin e deri te sulmet ushtarake mbi Republikën Islamike.

Duke qenë se rreziku i përshkallëzimit është më i madh se kurrë më parë, skenari më i keq, një luftë e përgjithshme mes Iranit e Izraelit është shumë i mundshëm, thonë analistët.

Izraeli duhet t’i marrë parasysh qëllimet, jo vetëm rezultatet e kjo nënkupton se në Izrael do të argumentohet për një përgjigje brenda Iranit, bashkë me të gjitha rreziqet që sjell, tha Michael Horowitz, nga konsulenca ndërkombëtare Le Beck me bazë në Bahrein. Derisa Irani, e as Izraeli nuk duan përshkallëzim të situatës, “vallja në të cilën janë futur ata – duke tentuar ta frenojnë njëri-tjetrin – është shumë e rrezikshme”, shtoi ai.

Goditja e Iranit ishte hakmarrje ndaj një sulmi të dyshuar ajror izraelit në konsullatën iraniane në Siri më 1 prill, ku u vranë disa komandantë iranianë, përfshirë dy gjeneralë. Prej dhjetorit të kaluar, sulmet e dyshuara izraelite vranë  18 pjesëtarë të Trupave të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), degës elitare të Forcave të Armatosura të Iranit, në Siri.

Sulmi i 13 prillit nga Irani u duk se ishte tejet i kontrolluar dhe i planifikuar, që të mos shkaktonte viktima apo dëme të mëdha.

“Skenari i makthit”

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant tha se Izraeli “nuk ka zgjidhje” veçse t’i përgjigjet sulmit të Iranit. Por, Teherani paralajmëroi se përgjigjja e tij do të jetë edhe “më e fuqishme” e “më e gjerë”, nëse Izraeli hakmerret.

Kryekomandanti i IRGC-së, gjeneralmajor Hossein Salmani, tha se operacioni i Iranit “Zotimi i Sinqertë” e “ndryshoi formulën” dhe se Teherani do t’i përgjigjej veprimeve të Izraelit, në vend se të tregojë “durim strategjik”.

Irani dëshiron ndryshim të rëndësishëm e ka thënë se nga tani, çdo veprim i Izraelit do të marrë përgjigje të ngjashme, tha për Radion Farda të Radios Evropa e Lirë, Farzin Nadimi nga Instituti i Uashingtonit.

Një operacion i drejtpërdrejtë ushtarak i Izraelit kundër Iranit mund të nxisë luftë të përgjithshme mes këtyre dy vendeve, që sipas Horwitzit është “skenar i makthit”.

Një skenar i tillë mund t’i tërheqë edhe Shtetet e Bashkuara, aleatët kryesorë të Izraelit, si dhe t’i nxisë përfaqësuesit e Iranit e grupet militante proiraniane në rajon ta sulmojnë Izraelin, përfshirë Hezbollahun e Libanit, rebelët huthi të Jemenit dhe milicitë shiite në Irak e Siri.

Nëse arrijmë në këtë pikë, ne mund të shohim sulme javore izraelite kundër Iranit, përfshirje të plotë të Hezbollahut në një sulm kundër Izraelit, një pushtim tokësor izraelit në Liban dhe një tentativë nga Irani për ta mbyllur Gjirin Persik.

Ka vite që Irani kërcënon me mbylljen e Ngushticës strategjike të Hormuzit, rrugë e rëndësishme për furnizimin botëror me naftë.

Edhe në mungesë të një sulmi të drejtpërdrejtë izraelit kundër Iranit, një varg sulmesh hakmarrëse mes Iranit dhe Izraelit mund të na çojnë në këtë pikë, nëse palët e jashtme nuk veprojnë siç kanë bërë deri tani për t’i ulur tensionet, paralajmëroi Horowitz.

“Shkalla e pasigurisë”

Shumë fuqi botërore dhe aktorë rajonalë kanë bërë thirrje për uljen e tensioneve, përfshirë Shtetet e Bashkuara, të cilat i kanë kërkuar Izraelit të tregojnë vetëpërmbajtje. Presidenti amerikan, Joe Biden i tha kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu se Uashingtoni nuk do ta mbështetë një sulme izraelite kundër Iranit.

Shtetet e Bashkuara kanë ndikim shumë të madh ndaj Izraelit, nëse duan ta përdorin atë, tha për Radion Farda Stephen Walt, profesor për marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin e Harvardit. Tani, me mundësinë e një lufte të gjerë, duket se administrata Biden i ka thënë Izraelit se nëse bën diçka më shumë, do të jetë i vetëm.

Derisa nuk është e pamundur për Izraelin ta shpërfillë Uashingtonin dhe të merret me këtë çështje vetë, Walt tha se shanset për një konflikt rajonal janë të vogla, sepse “shumica e aktorëve në rajon nuk duan që kjo të ndodhë”.

Ai theksoi se grupet e vetme që “mund të kenë interes” në një luftë të gjerë, janë Hamasi, i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian, si dhe qeveria e vijës së ashpër e Netanyahut.

Edhe kështu, nuk do të kishte fitues të vërtetë në një konflikt të gjerë./Radio Evropa e Lirë