Aktualitet Celebrities

Erion Veliaj mbush 42 vjeç, profili i njeriut të njohur prej 24 vitesh!

Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj feston sot 42-vjetorin e lindjes, 24 prej të cilave i ka shënuar duke lënë gjurmë në pushtetin vendor, politikë, shoqërinë civile, organizata e agjenci të Kombeve të Bashkuara në Amerikë, Afrikë Lindore e Kosovë.

Për djalin e lindur në Tiranë, më 17 dhjetor 1979, si dhe të diplomuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e në Mbretërinë e Bashkuar, viti 2003 do ta bënte një emër të njohur në vend, kur themeloi lëvizjen “Mjaft”, me të cilën organizoi protesta e tërhoqi vëmendjen mbi çështje kyçe, duke nxitur pjesëmarrjen e qytetarëve në proceset vendimmarrëse.

Katër vjet me lëvizjen që u vlerësua me Çmimin e OKB-së për Shoqërinë Civile dhe në 2007-ën, Veliaj iu bashkua Iniciativës për Stabilitetin Europian, organizëm kyç në promovimin e zgjerimit të BE-së ndërsa në 2011-ën, u bë pjesë e Kryesisë së Partisë Socialiste, në atë kohë në opozitë, si Sekretar për Rininë dhe Emigracionin. Dy vjet më pas, PS vjen në pushtet dhe Erion Veliaj si kandidat i qarkut Gjirokastër, u zgjodh deputet e në shtator të 2013-ës u emërua Ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

Në më pak se dy vjet, në qershor të 2015-ës do ta priste një tjetër garë, kësaj here për drejtimin e bashkisë më të madhe në vend, Tiranës. Si kandidat i koalicionit të majtë Aleanca për Shqipërinë Europiane fitoi me diferencë të thellë ndaj rivalit të djathtë Halim Kosova, i mbështetur nga koalicioni opozitar Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet e rrugëtimin në krye të Bashkisë Tiranë e për PS-në, ai ishte kandidat i padiskutueshëm për të rikandiduar në 2019-ën, i vlerësuar për punën e bërë në kryeqytet, aq sa në një mbledhje të Asamblesë së PS-së në mars të atij viti, kryeministri Rama do të pyeste: “A keni emër tjetër përveç Veliajt se unë nuk kam”. Përsëri fitoi votimet që u bojkotuan nga Opozita e këtë vit u konfirmuan nga gjykata kushtetuese.

Por, nuk kanë munguar momentet e vështira për yllin në ngjitje që i është dashur të përballet me shumë sfida, përfshirë rindërtimin në Tiranë pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit. Në mandatin e parë si kryebashkiak, protestat e shoqërisë civile kundër ndërtimit të këndit të lojërave te kodrat e liqenit artificial, vdekja e 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës ishin mes tyre. Gjithashtu, kujtojmë se Veliaj është vënë vazhdimisht në shënjestrën e akuzave e sulmeve të opozitës që këtë vit shkoi deri aty sa të kërkonte arrestimin e tij nga SPAK-u lidhur me shembjen e Teatrit Kombëtar e po me demokratët, përplasjet kanë përfunduar në dyert e gjykatës si ato të ditëve të fundit me deputetet Grida Duma e Jorida Tabaku për shpifje, që i fitoi.

Jashtë detyrës së kryebashkiakut e angazhimeve politike me PS-në, Erion Veliaj është baba i një djali 3 vjeç, Kajan me bashkëshorten Ajola Xoxa e sot në këtë 42-vjetor, me urimet e të afërmve, miqve e bashkëpunëtorëve, bashkohet edhe Top Albania Radio. Gëzuar Ditëlindjen, Erion Veliaj! Sa më shumë suksese në punët e projektet për Tiranën!