Bota

Europa “vlon” nga i nxehti, temperatura ekstreme!

Në Europë janë disa rajone që po përballen me temperatura të larta e që pritet të rriten në mbi 40 gradë Celsius, sipas parashikimeve të Agjencisë Europiane të Hapësirës. Në kryeqytetin Athinë të Greqisë fqinje, dje autoritetet mbyllën Akropolin në orarin 09:00-17:00, pikërisht për shkak të nxehtësisë ekstreme. Për shkak të të nxehtit, një turiste pësoi një goditje të lehtë teksa vizitonte Akropolin, pikë referimi arkeologjike e Athinës.

Ajo u dërgua në spital, por nuk është në rrezik për jetën.

Po në Greqi, pica dhe shërbimet e tjera të shpërndarjes u ndaluan të dërgonin punonjësit në rrugë gjatë orarit të drekës. Po ashtu, nëpunësit e shtetit u nxitën të punonin nga shtëpia në rastet kur ishte e mundur.

Për më tepër, qytetet dhe bashkitë në të gjithë Greqinë hapën ndërtesa me ajër të kondicionuar për qytetarët që të kërkonin strehim nga vapa përvëluese.

Sipas meteorologëve, në Athinë nuk ka asnjë shenjë të uljes së temperaturave në 35 gradë Celsius, vlerë e zakonshme për korrikun.

Kushte të ngjashme atmosferike mbizotërojnë në Qipro

Të premten, termometrat në kryeqytetin Nikosia tregonin 43 gradë Celsius.

Lehtësim në horizont nuk ka as për vendin tjetër fqinj me Shqipërinë, Italinë. Vazhdon e ashtuquajtura valë Cerberus, sipas përbindëshit me tre koka që shfaqet në ferrin e Dantes. Meteorologët paralajmërojnë se do të jetë dhe më  nxehtë javën e ardhshme. Nuk kursehet as territori shqiptar.

Gjithashtu, pjesë të Gjermanisë sot do të kenë temperatura ekstreme. Sipas Shërbimit Gjerman të Motit (DWD), temperaturat do të rriten deri në 30 gradë Celsius dhe 37 gradë Celsius në rajonet lindore e jugore të vendit.

Ekspertët theksojnë ndryshimin e klimës. Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore Meteorologjike (WMO) Petteri Taalas:

Ngjarjet ekstreme të motit, të cilat po ndodhin me frekuencë në rritje në klimën tonë të ngrohjes, kanë ndikime të rëndësishme në shëndetin e njeriut, ekosistemet, ekonomitë, bujqësinë e furnizimin me energji dhe ujë. Kjo nënvizon urgjencën në rritje për të reduktuar emetimet e gazeve serrë sa më shpejt dhe sa më thellë të jetë e mundur.

Në të gjitha vendet e prekura nga vala e të nxehtit, mjekët këshillojnë njerëzit të pinë shumë ujë e të shmangin alkoolin dhe pijet me sheqer. Po ashtu, duhet të kalojnë sa më pak kohë të jetë e mundur jashtë e të shmangin aktivitetet e rënda fizike si vrapimi e çiklizmi.