Aktualitet

Fitër Bajrami, presidenti Begaj uron nga Kavaja/Kryebashkiaku Veliaj: Tirana më e bashkuar!

Gjatë një vizite në Xhaminë Kubelie në qytetin e Kavajës, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj përcolli urimin për të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e Fitër Bajramit.

Uroj të gjithë besimtarët myslimanë dhe të gjithë shqiptarët ku jetojnë e punojnë, gëzuar Festën e Fiter Bajramit! Uroj nga zemra që agjërimi i muajit të Ramazanit ka përmbushur qëllimin e shprehjes së devocionit të besimtarëve përmes sakrificës! Sakrifica në emër të besimit shpresoj të jetë shtysë për ne, për të bërë vepra të mira, për familjen, për shoqërinë dhe për kombin.

Në fakt, kjo festë e Fiter Bajramit ka karakteristikë të veçantë solidaritetin dhe dashurinë.

Dashurinë për njëri-tjetrin, dashurinë për Zotin. Sot në Kavajë gjeta veten, takova miq të rinj dhe të vjetër, të besimeve të ndryshme dhe ku më mirë se Kavaja tregohet kjo harmoni fetare. Bashkëjetesa dhe harmonia fetare për të gjithë kombin tonë është një vlerë e jashtëzakonshme, vlerë e cila duhet ruajtur, duhet promovuar dhe pse jo duhet eksportuar. Të eksportojmë atë vlerë që është më e mira!

Populli shqiptar e ka treguar me vepra që e përkrah të ndryshmen.

Kemi pritur refugjatë afganë, kemi pritur refugjatë ukrainas, kemi hapur dyert tona në ditë të vështira, pse jo edhe në këtë ditë të bëjmë një thirrje që të ndihmojmë ata që janë më të pamundurit, ata që kanë nevojë për më shumë. Gëzuar Festën e Fiter Bajramit! Uroj për të gjithë shqiptarët, mirësi në jetën e tyre!

Urimet i përcolli edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj:

Sot Tirana është më e bashkuar! Kur mendoj se kemi kaluar disa sfida të paimagjinueshme, siç ka qenë tërmeti, pandemia, ne nuk do ia kishim dalë nëse nuk do e ndanim këtë barrë. E kemi ndarë me xhamitë e Tiranës, me komunitetet e besimit, me ata që kanë ofruar një pjatë supë, kanë menaxhuar raste shumë të vështira të njerëzve të sëmurë nëpër spitale dhe vetë fakti që e kemi këtë mundësi për ta ndarë këtë barrë, e ka bërë qytetin tonë më të mirë, e ka bërë Tiranën më të bashkuar dhe më solidare.

Sikur të sillemi çdo ditë si në Ramazan, besoj që shumë prej atyre veseve të vogla, përçarjeve e cic-miceve të vogla, debatet, mund të fashiten nëse kemi parasysh që ka më shumë gjëra që na bashkojnë se sa gjërat që na ndajnë. Ju uroj të gjithëve shumë sukses, ju falënderoj nga zemra për bashkëpunimin! Gëzuar festën e Bajramit! Ne do të jemi në disa qendra sociale sot për të shërbyer vaktin e festës dhe do të doja ta vazhdonim me frymën e shërbesës, bashkimit e dashurisë për qytetin tonë. Shëndet e mbarësi për ju e gjithë familjet tuaja!

 

Myslimanët kudo në botë festojnë fillimin e Fitër Bajramit, fundin e muajit të shenjtë të agjërimit të Ramazanit. Arabia Saudite, shtëpia e vendeve më të shenjta të Islamit, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Katari  gjithashtu kremtojnë sot Fitër Bajramin. Fillimi dhe fundi i muajve islamë përcaktohen nga dukshmëria hënore, shfaqja e gjysmëhënës së re. Fitër Bajrami treditor, një nga dy festat kryesore të Islamit, zakonisht shënohet me lutje të veçanta në mëngjes, tubime shoqërore e biskota me hurma ose arra.