Rajoni

Votimi në Asamble, reagon Kurti, Osmani e Begaj!

Asambleja Parlamentare ka votuar PRO që Kosova të avancojë edhe më tej drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Pas kësaj ka reaguar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Kryeministri i Kosovës ka thënë se kjo është një ditë e madhe për Kosovën.

“Një ditë e madhe për Kosovën, vota në favor të aplikimit tonë për t’u bashkuar me Këshillin e Evropës”.

Presidentja Vjosa Osmani i ka falënderuar të gjithë deputetët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të cilët votuan për avancimin e vendit drejt anëtarësimit në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare.

Osmani shkroi në rrjetin social “X” se “zëri i europianëve është dëgjuar!”.

“Faleminderit të gjithëve deputetëve të Asamblesë Parlamentare të KiE që votuan pro Kosovës anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës sot!”.

“Një falënderim i madh për delegacionin tonë dhe të gjithë ata që mbështesin vazhdimisht popullin e Kosovës. Edhe një hap!”, shkroi Presidentja.

Presidenti Bajram Begaj ka përshëndetur vendimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për miratimin e anëtarësimit të Kosovës në këtë institucion ndërkombëtar.

Begaj falënderoi personat që kanë punuar për të mbështetur kërkesën e Kosovës për anëtarësim në KiE ndërsa shtoi se tashmë pritet vetëm hapi final.

“Përshëndes vendimin e sotëm të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE). Falenderoj të gjithë ata që kanë punuar dhe kanë mbështetur kërkesën e drejtë të Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës. Tashmë pritet vetëm hapi final në maj, i cili shënon edhe mometin e merituar për të festuar”- shkruan Begaj në facebook.