Rajoni

FMN: Rritja ekonomike e Kosovës, pritet 3.8% këtë vit!

Fondi Monetar Ndërkombëtar, FMN ka thënë se rritja ekonomike në Kosovë pritet të arrijë deri në 3.8% këtë viti, e nxitur fuqishëm nga konsumi privat dhe rritja më e shpejtë e investimeve. Një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i udhëhequr nga Sebastian Sosa, vizitoi Prishtinën për diskutime mbi rishikimin e dytë të Marrëveshjes Stand-By (SBA) dhe Instrumentit të Reziliencës dhe Qëndrueshmërisë (RSF).

Në njoftimin e publikuar, thuhet se ekipi i FMN-së ka arritur dakordim me autoritetet e Kosovës për përmbylljen e rishikimit të dytë të SBA-së dhe RSF marrëveshjeve.

Ekipi i FMN-së dhe autoritetet e Kosovës arritën dakordim në nivel të stafit për përmbylljen e rishikimit të dytë të SBA-së dhe RSF marrëveshjeve. Zbatimi i programit vazhdon të jetë në rrugën e duhur, me përmbushje të të gjitha caqeve kuantitative të fundit të dhjetorit 2023 dhe me avancim të kënaqshëm në agjendën e dakorduar të reformave strukturore.

Pas miratimit nga Bordi Ekzekutiv i FMN-së, i cili pritet të bëhet në gjysmën e dytë të muajit maj, përfundimi i rishikimit të dytë do të vë në dispozicion 13.35 milionë SDR shtesë (16.34 milionë euro) në kuadër të SBA-së dhe 7.74 milionë SDR (9.47 milionë euro) në kuadër të RSF-së. Autoritetet janë shprehur se synojnë të vazhdojnë trajtimin e SBA- së si masë e kujdesit paraprak.

Më tej, në komunikatë bëhet e ditur se “Ekonomia e Kosovës ka vazhduar të performojë mirë, përkundër mjedisit të jashtëm sfidues”.

Rritja reale e BPV-së u ngadalësua në 3.3 për qind në vitin 2023, pas zbutjes së rritjes ekonomike te partnerët kryesorë tregtarë dhe shtetet me prani më të madhe të diasporës. Inflacioni ka rënë ndjeshëm si pasojë e uljes së çmimeve të lëndës së parë, duke arritur në 2.2 për qind në krahasim me vitin paraprak në muajin shkurt. Llogaria e shpenzimeve të jashtme rrjedhëse është ngushtuar në 7.7 përqind të BPV-së në vitin 2023, si pasojë e çmimeve më të ulëta të energjisë dhe ushqimit.

Rritja ekonomike pritet të ngrihet deri në 3.8 për qind në vitin 2024, e nxitur fuqishëm nga konsumi privat dhe rritja më e shpejtë e investimeve. Sistemi bankar vazhdon të jetë i shëndoshë.

Rreziqet për perspektivën ekonomike të Kosovës përfshijnë rritjen e çmimeve të mallrave si pasojë e tensioneve gjeopolitike, aktivitetit më të ulët në ekonomitë e avancuara evropiane dhe përshkallëzimit të tensioneve në veri të Kosovës. Nga ana tjetër, progresi i theksuar në dialogun me Serbinë dhe procesin e anëtarësimit në BE mund të rritë besimin, IHD-të, turizmin, mbështetjen financiare të donatorëve dhe rritjen ekonomike. Krahas historikut pozitiv me politika të kujdesshme, Kosova ka rezerva të konsiderueshme për t’i zbutur goditjet eventuale negative, duke përfshirë borxh të ulët publik, sistem bankar likuid dhe të mirëkapitalizuar, SBA-në e kujdesit paraprak, ekzistenca e rezervës emergjente per likuiditet si dhe linja e përkohshme e Marrëveshjes së Riblerjes REPO (100 milionë euro) të Bankës Qendrore e Kosovës (BQK) me Bankën Qendrore Evropiane (BQE), së fundi është zgjatur deri në janar 2025.

Autoritetet kanë vazhduar të kenë politika të matura makroekonomike. Deficiti i përgjithshëm fiskal ka qëndruar në nivel 0.2 për qind të BPV-së në 2023, mjaftueshëm nën kufirin e programit prej 2 për qind të BPV-së, gjë që reflekton rritjen e shpejtë ne mbledhjen e tatimeve dhe shpenzimet e përmbajtura, përkundër faturës më të lartë të pagave si pasojë e zbatimit të ligjit të ri të pagave në sektorin publik (½ përqind e BPV-së) dhe pagesës së përgjithshme për të gjithë fëmijët dhe pensionistët (¾ përqind e BPV-së). Pozicioni fiskal për vitin 2024 është parashikuar të jetë ekspansionist, me deficit të përgjithshëm prej 1½ përqind të BPV-së, si pasojë e investimeve më të larta dhe granteve më të ulëta. Politikat që synojnë përmbajtjen e shpenzimeve rrjedhëse, ashtu që të krijohet hapësirë për rritjen e shpenzimeve kapitale dhe programe të targetuara të ndihmës sociale duhet vazhduar.

Janë zbatuar të gjitha kriteret strukturore për rishikimin e dytë të programit: përgatitja e analizës vjetore të pavarur të rrezikut fiskal si pjesë e pakos buxhetore; miratimi i Rregullores së re të punës e cila qartëson rolet dhe përgjegjësitë e Bordit Ekzekutiv dhe Bordit Mbikëqyrës të BQK-së; si dhe hartimi i ligjit të ri për sektorin bankar, i cili do të dorëzohet së shpejti në kuvend. Në vijim, nevojiten përpjekje të vazhdueshme për të forcuar politikat tatimore dhe administrimin tatimor ashtu që të rritet edhe më tej mobilizimi i të hyrave. Prioritetet e tjera të reformës strukturore fiskale përfshijnë përmirësimin e menaxhimit të investimeve publike, përmirësimin e menaxhimit të rrezikut fiskal dhe përmirësimin e qeverisjes dhe menaxhimit të ndërmarrjeve publike (NP). BQK-ja ka vazhduar të avancojë agjendën ambicioze të reformave institucionale në linjë me planin strategjik 5-vjeçar te aprovuar rishtaz. Përpjekjet e vazhdueshme të BQK-së për forcimin e qeverisjes, përmirësimin e menaxhimit të rrezikut, përmirësimin e mbikëqyrjes financiare dhe adresimin e hendeqeve LPP/LFT janë të mirëseardhura dhe duhet të vazhdojnë.

E përgëzojmë progresin në zbatimin e agjendës së gjelbër të Kosovës, të mbështetur nga RSF. Të gjitha masat reformuese për këtë rishikim janë përmbushur. Ligji për ndryshimet klimatike, i cili përcakton kornizën për promovimin, planifikimin dhe monitorimin e politikave të ndryshimeve klimatike, është miratuar në dhjetor, ndërsa Ligji për energjinë e ripërtëritshme pritet të miratohet gjatë muajve të ardhshëm. Janë duke u ndërmarrë hapa për të rritur pjesën e prodhimit të energjisë elektrike të gjelbër. Bazuar në ankandin e parë konkurrues për 100 MW të prodhimit të energjisë diellore/FV, muajve të ardhshëm do të iniciohet ankandi për 150 MW të prodhimit të energjisë elektrike me bazë ere (i pari në Kosovë). Ankandet e parimit të shitjes “Një Ditë Përpara” në modalitetin e lidhjes së tregut për Shqipërinë dhe Kosovën, që filluan në muajin shkurt, pritet të ndihmojnë forcimin e integrimit rajonal dhe të promovojnë konkurrencën në tregjet e energjisë elektrike.

•Ekipi i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe autoritetet e Kosovës arritën dakordim në nivel të stafit për përmbylljen e rishikimit të dytë të marrëveshjes Stand-by (SBA) dhe Instrumentit të Reziliencës dhe Qëndrueshmërisë (RSF). Kjo marrëveshje duhet të miratohet nga bordi ekzekutiv i FMN-së, që pritet ta shqyrtoj ne pjesën e dytë të Majit.

•Ekonomia e Kosovës ka vazhduar të performojë mirë, përkundër mjedisit të jashtëm sfidues. Rritja ekonomike pritet të ngritet në 3.8 përqind këtë vit, e nxitur fuqishëm nga konsumi privat dhe rritja më e shpejtë e investimeve.

•Autoritetet kanë vazhduar të kenë politika të matura makroekonomike, ndërkohë që vazhdon të avancojë reformën strukturore dhe agjendat e gjelbra të mbështetura nga SBA dhe RSF.