Bota

Frikë në Meksikë, pritet një uragan me pasoja katastrofike!

Banorët e portit dikur magjepsës të Meksikës, Akapulko dhe qyteteve bregdetare përreth po përgatiten për mbërritjen e uraganit Otis që ka shumë mundësi të sjellë pasoja katastrofike. Ky uragan i Kategorisë 5 ka kthyer kujtimet e stuhisë së vitit 1997, që vrau dhjetëra njerëz.

Shërbimi Meteorologjik Amerikan paralajmëroi:

Një skenar makthi po zhvillohet për Meksikën jugore pasi Otisi po i afrohet bregdetit me shpejtësi të madhe.

Otis u forcua nga një stuhi tropikale në një uragan të rrezikshëm të Kategorisë 5 brenda 12 orëve, teksa po i afrohet bregdetit të Meksikës jugore.

Shërbimi Meteorologjik Amerikan theksoi se Otis shkaktoi erëra të fuqishme deri në 260 km në orë e pritet të arrijë në Akapulko gjatë ditës së sotme. Me pamje nga Oqeani Paqësor, Akapulko është qytet me mbi një milion banorë, i mbushur me shtëpi luksoze, por që bëjnë diferencën me lagjet e varfëra.

Otis pritet të mbetet uragan i Kategorisë 5 kur të prekë tokën, por më pas parashikohet një dobësim i shpejtë i tij për shkak të terrenit të lartë të Meksikës. Me gjasë, Otis do të zhduket në jug të Meksikës më vonë gjatë ditës.

Në Akapulko, njerëzit nxituan për t’u strehuar në shtëpitë e veta për shkak të shiut të madh dhe erërave të forta. Kryetarja e Bashkisë Akapulko, Abelina Lopez, iu bëri thirrje banorëve që të qëndrojnë në shtëpi apo të shkojnë në qendrat strehuese në qytet.

Otis mund të jetë uragan më shkatërrues se Paulin që e goditi këtë vend më 1997-ën, duke shkatërruar pjesë të qytetit dhe vrau më shumë se 200 njerëz. Qindra të tjerë u lënduan nga përmbytjet e rrëshqitja e dherave.

Presidenti i Meksikës, Andrea Manuel Lopez Abrador, iu bëri thirrje qytetarëve të shkojnë “në vende të sigurta larg lumenjve, përrenjve, luginave e të tregohen të vëmendshëm”. Për të ndihmuar ekipet e shpëtimit, ushtria e Meksikës ka zhvendosur më shumë se 8 mijë trupa në Akapulko, me pajisje të specializuara. Autoritetet meksikane e mbyllën portin e Akapulkos ku qëndrojnë 300 anije peshkimi.