Bota

Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshon urdhër-arrest për Netanyahun!

Mediat hebraike raportojnë se qeverisë izraelite i është komunikuar nga zyrtarë ligjorë se Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar një urdhër-arrest për kryeministrin Netanyahu.

Hetimi i Gjykatës mbi veprimet e Izraelit në Bregun e pushtuar Perëndimor dhe Gaza mund të çojë në urdhër-arreste për zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë.

Lajmi vjen në një kohë teksa në Izrael vazhdojnë protestat, me qytetarët që kërkojnë nga qeveria që të bëjë më shumë për lirimin e pengjeve që mbahen nga Hamas në Gaza.

Një zyrtar i Hamasit deklaroi se një delegacion i lëvizjes do të diskutojë një propozim të parashtruar nga Izraeli gjatë një vizite në Kajro.

Përpjekjet për të rinisur bisedimet e bllokuara janë shtuar në ditët e fundit, me qëllim ndalimin e ofensivës izraelite në Rafah, qyteti jugor ku është strehuar më shumë se gjysma e popullsisë së Gazës.

“Mjafton vetëm një sulm i vogël që të detyrojë qytetarët të largohen dhe do të jemi dëshmitarë të katastrofës më të madhe në historinë e popullit palestinez”, deklaroi Mahmoud Abbas, president i Autoritetit Palestinez.

Ndërkohë, Izraeli thotë se shpërndarja e ndihmave në Gaza po avancon, teksa vende të ndryshme, si SHBA dhe Jordania, vijojnë të hedhin ndihma nga ajri.

“Në javët e fundit, sasia e ndihmave humanitare që kanë hyrë në Gaza është rritur ndjeshëm. Në ditët e ardhshme, ajo do të vazhdojë të rritet edhe më shumë”, tha Daniel Hagari, zëdhënës i ushtrisë izraelite:

Por një zëdhënës i Programit Botëror të Ushqimit thotë se, pavarësisht se rritja e nivelit të ndihmave është diçka pozitive, është herët të thuhet se rreziku nga uria është shmangur.