Aktualitet

Goditen tre raste korrupsioni në Kadastrën e Durrësit!

Ndërsa denoncoi të tjera raste të kapura nga Njësia Anti-Korrupsion, sot Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, tha se shumë problem është edhe zgjatja apo rinovimi i lejeve të skaduara të ndërtimit nga Gjykatat Administrative ose Bashkitë, sidomos bregdetare. Sipas Manjës, nuk mund të rinovohet një leje e dhënë në 2005-ën e kjo për shkak se kanë ndryshuar kushtet e kontratës e planet urbanistike. Një strukturë po heton këto raste e siç u shpreh ministri, përgjegjësit do të dalin para drejtësisë.

Nisur nga një rast në Bashkinë e Vorës për një leje ndërtimi në kundërshtim me ligjin, për të cilën ka një kallëzim penal, kam urdhëruar ngritjen e një komisioni të posaçëm, për të trajtuar çështje të kësaj natyre. Janë konstatuar një sërë problematikash, sidomos në zonat bregdetare. Në këtë proces kemi konstatuar se Gjykata, duke marrë kompetenca ekzekutive ka rivendosur në afat leje ndërtimi të dhëna që nga viti 2005, edhe pse planet urbanistike janë transformuar në kohë. Si Ministër i Drejtësisë do të vendos në lëvizje Inspektorin e Lartë të Drejtësisë për çdo gjë të paligjshme. Rivendosja në afat e lejeve të ndërtimit të skaduara është e papranueshme. Nuk mundet gjykata të shtyjë vlefshmërinë e saj sepse merr atribute të një organi tjetër. Leja e ndërtimit jepet nga kryetari i bashkisë sipas ligjit dhe vetëm pasi janë dhënë të gjitha udhëzimet nga ekspertët. Për mua është e paimagjinueshme që Gjykata të marrë përsipër të zgjasë apo ripërtërijë një leje të dhënë në vitin 2005.

Ndërkaq, përmendi tre raste korrupsioni në Kadastrën e Durrësit, përfshirë dhënien e legalizimit një qytetari, para se të bënte dokumentet.

Në Kadastrën e Durrësit janë regjistruar tre raste, ku dy të parat kanë të bëjnë me leje legalizimi në kundërshtim me ligjin, pa u respektuar procedurat. Rasti i tretë është flagrant, pasi u printua leja e legalizimit dhe iu dha qytetarit e më pas janë bërë procedurat. Data e dhënies së lejes është më parë se të bëheshin dokumentet. Është e kuptueshme se cilat janë interesat që të çojnë drejt shkeljes së ligjit dhe procedurave.

Manja theksoi se një tjetër rast i evidentuar nga Njësia Antikorrupsion ka të bëjë me doganën e Korçës.

Një nëpunës u bë pjesë përmes dokumenteve shkollore të falsifikuara. Përveç doganierit, ne kemi denoncuar edhe noterin, për të cilin kërkuam hetimin disiplinor. Rasti i fundit ka të bëjë me drejtorinë e DSHTRR-së, që lidhet me ryshfetin direkt në sportel.