Aktualitet

Goditi me karrige mësuesen, bie në pranga 16-vjeçari nga Lezha

Gjykata e Lezhës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, për 16-vjeçarin që goditi me karrige mësuesen në gjimnazin “Hydajet Lezha”.

I mituri u njoh këtë të premte me masën e sigurisë, në një seancë me dyer të mbyllura. Ndaj tij janë ngritur dy akuza, “goditje për shkak të detyrës” dhe ‘plagosje e rëndë me dashje”.

Njoftimi:

Në vijim të informacionit të dhënë paraditen e sotme, sipas të cilit në ambientet e gjimnazit “Hydajet Lezha”, një 16-vjeçar kishte goditur me send të fortë (karrige), mësuesen M. P., ju informojmë se:

Në praninë e psikologut, prindit dhe mbrojtësit ligjor, specialistët për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, bënë arrestimin e shtetasit G. P., 16 vjeç, banues në Lezhë, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Goditjet për shkak të detyrës”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Kujtojmë se incidenti ndodhi në ambientet e brendshme të klasës gjatë orës së mësimit. Pre e sulmit nga nxënesi i saj ra Majlinda Palushi e cila prej vitesh jep lëndën e matematikës në këtë gjimnaz.Sipas nxënësve ka pasur një debat mes 16-vjeçarit dhe mësueses së matematikës, ku sipas tyre, në debat e sipër i ka përmendur të atin i cili ka ndërruar jetë disa vite më parë.

Kjo e ka acaruar adoleshentin duke ndërmarrë veprimin ekstrem duke e goditur me karrige. Kanë qenë shokët e klasës të cilët menjëherë kanë ndërhyrë dhe kanë njoftuar mësuesen kujdestare.

Mësimi u bojkotua për 45 minuta nga të gjithë mësuesit në shenjë proteste për kolegen e tyre, dhe më pas të gjithë nxënësit janë marrë nga shkolla nga vete prindërit për shkak të ngjarjes së ndodhur.