Rajoni

Hagë, konferenca statusore ndaj të akuzuarve Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi!

Pranë Dhomave të Specializuara në Hagë po zhvillohet Konferenca e 8-të statusore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi. Nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, akuzohen për krime lufte dhe kundër njerëzimit. Të pandehurit nuk po marrin pjesë fizikisht në Dhomat e Specializuara, por po e ndjekin përmes video-lidhjes.

Në fillim të konferencës, avokati i Thaçit, Gregory Kehoe tha se “pavarësisht se sot gjykata mori vendim për mbajtjen në paraburgim të klientit të tij, mbrojtja do ta apelojë”. Por, për shkak të festave të fundvitit, kërkoi të shtyhen afatet e apelimit.

Nga gjykatat e mëparshme janë liruar serbë dhe shqiptarë, por nga kjo gjykatë, jo!

Kehoe shtoi se ata do të respektonin kushtet e lirimit nga paraburgimi dhe kërkoi seancë dëgjimore publike për të trajtuar arsyet se përse të pandehurit mbahen në paraburgim.

Nga Zyra e Prokurorit të Specializuar besojnë deri në afatin e 31 janarit 2022 për nxjerrjen e materialeve. Nga 11.300 materiale, 545 ende nuk janë përkthyer në shqip. Kjo zyrë po punon në krijimin e entiteteve për dëshmitarët e mbrojtur.

Ndërkaq, avokati i Veselit, Ben Emmerson tha se deri më tani, mbrojtja ka marrë 13.800 prova dhe më shumë se 11.000 prej tyre i kanë marrë pas afatit për nxjerrjen e materialeve të 23 korrikut të këtij viti.

A do të marrin një volum të madh të materialeve në janar? Besoj që ndoshta do të na duhet shumë kohë në vitin e ardhshëm, vetëm për të lexuar një pjesë të tyre.

Avokati i Selimit, David Young tha se “ZPS-ja po vazhdon të dërgojë materiale për dëshmitarët, por nuk po tregon se kujt dëshmitari i përkasin”. Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së u ankua se sistemi “legal workflow”, ku ZPS-ja ndan me mbrojtjen provat që ka, nuk po funksionon siç duhet.

Konferencën statusore apo mbi ecurinë e çështjes, e thërret gjykatësi i procedurës paraprake dhe ka për qëllim organizimin e shkëmbimeve mes palëve. Prokuroria tregon llojin e provave që disponon. Krimet pretendohet se janë kryer në disa vende të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës e Cahan.