Aktualitet

Rama në Islandë: Padrejtësia ndaj luftës çlirimtare të Kosovës dhe Thaçit nisi në Këshillin e Europës!

Në samitin e liderëve të Këshillit të Europës në Islandë, kryeministri Edi Rama theksoi se si shqiptar e ka të pamundur të shmangë heqjen e paraleles mes Ukrainës e presidentit Zelensky, si dhe Kosovës e ish-presidentit Thaçi. Në sesionin “Të bashkuar rreth Europës”, deklaroi:

Nuk rri dot pa kujtuar se padrejtësia kundrejt luftës çlirimtare të Kosovës e udhëheqësit të saj, Hashim Thaçi nisi në Këshillin e Europës, nën ndikimin dashakeq të Federatës Ruse.

Presidenti i Kosovës ose si Joe Biden iu referua “George Washington” i Kosovës po gjykohet nga një gjykatë e veçantë, e ngritur dhe e themeluar nga bota demokratike, por e mbështetur në një raport të vitit 2019, i cili në mënyrë djallëzore u sponsorizua nga përfaqësuesit e Vladimir Putinit në Asamblenë e Këshillit të Europës.

Kryeministri solli në vëmendje se akuza tërësisht të pabazuara të trafikimit të organeve njerëzore u ngritën si pikënisje e një fushate kriminale njollosjeje të Shqipërisë e Kosovës. Rama u shpreh se “kur dëgjoi propagandën e Kremlinit të flasë për trafikimin e organeve njerëzore nga neonazistët në Donbas, iu duk sikur pa presidentin Zelensky 10 vjet më vonë, gjykuar nga një gjykatë e veçantë, ngritur mbi të njëjtat akuza absurde”.

Ndjesë për këtë çelje brutalisht jokonvencionale që mund të duket sikur thyen në copa atë piano ku në mënyrë të mrekullueshme u luajt kënga Ave Maria nga mikpritësit tanë, por është tejet shkurajuese të dish që situata shqetësuese ku përfshihet presidenti i Kosovës dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës e pati zanafillën brenda Këshillit të Europës.

Do të isha fajtor po të mbetesha i heshtur e të mos flisja sot këtu e të thosha sa vijon. Që Asambleja e Këshillit të Europës ka detyrimin moral të korrigjojë çdo gabim dhe në këtë rast duhet t’i hapë rrugën tërheqjes mbrapsht të raportit, që në mënyrë të rreme etiketoi Shqipërinë si bazë për trafikimin e dyshuar të organeve nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Të refuzosh të përballesh me të vërtetën sot do ishte më keq se sa të bëhet ky gabim i rëndë 12 vjet më parë kur shumë votuan me sy mbyllur këtë raport të turpshëm, në mirëbesim.

Sigurisht, sot situata ka ndryshuar.

Rusia nuk është më një anëtare e këtij Këshilli, edhe pse numri i rusëve që vazhdojnë të punojnë për Këshillin e Europës është mjaft mbresëlënës e falë Zotit, uniteti i bashkësisë demokratike të Këshillit, në mbështetje të luftës çlirimtare të Ukrainës dhe presidentit Zelensky është i jashtëzakonshëm.

Kurrë, Shqipëria nuk ka pasur iluzione për natyrën e regjimit të Moskës dhe marrëdhënia jonë me Moskën ka qenë joekzistuese qysh prej vdekjes se Stalinit.